Dy mjekë të QSUT-së në Tiranë janë arrestuar nga policia për rryshfet. Ata dyshohet se për ofrimin e shërbimit të skanerit kanë marrë para.
Të arrestuarit janë: Nazmi Metaliu 63 vjeç, banues në Tiranë, me profesion mjek dhe Astrit Mansaku 51 vjeç, banues në Tiranë, me profesion teknik imazherie.
Hetimet proaktive prej tre javësh me përgjime e vëzhgime, janë mbikëqyrur nga prokurori Bledar Valikaj.
Nga hetimet janë të dokumentuata të paktën 15 raste.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim konstatimin e rasteve të korrupsionit dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të tyre, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Skaneri”.
Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës, iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm, kundrejt shumave monetare, bërjen e skanerit, në kundërshtim me rregulloren e Spitalit, për kryerjen e kësaj procedure,” njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.