Përveç pastrimit të parave, Prokuroria e Tiranës ka ngritur dhe dy akuza të tjera ndaj Alda Klodit, të ndaluar mbrëmjen e djeshme.
Këtë të Shtunë, policia e kryeqytetit konfirmoi zyrtarisht arrestimin e ish-zyrtares për veprat penale “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ndaluan shtetasen A.K. (Ç)., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprat penale ‘Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklari’”, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale’ dhe ‘Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore’. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, thuhet në njoftimin e bluve.
Alda Klosi ka qenë ish-drejtoreshë e koncensioneve në ministrinë e Financave para disa vitesh dhe deri në korrik të 2022, shefe e kabinetit të ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, për të kaluar më pas në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.
Dëshmitë kontradiktore
Arrestimi i Alda Klosit vjen disa javë vënies në pranga të pastrueses Rozeta Dobi dhe djalit të kësaj të fundit, Havier Dobi. Rozeta Dobi punonte si pastruese në një banesë të marrë me qera prej Klosit në “rrugën e Kosovarëve”.
Nga të dhënat e para mësohet se kanë qenë disa deklarime të bëra nga Dobi në polici, që kanë çuar në arrestimin e Klosit.
Më herët, vetë Alda Klosi ka deklaruar para hetuesve se ka pasur në shtëpi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë, si dhe disa bizhuteri që i janë vjedhur. Ndërsa Rozeta Dobi e cila akuzohet si ideatorja dhe personi që realizoi vjedhjen, ka deklaruar se ka marrë nga banesa e Klosit gjithë shumën e parave që i ka sekuestruar policia në shtëpi, në total 462 mijë e 950 euro, 15 mijë e 500 dollarë dhe 368 mijë lekë.
Ndërkohë, në dëshminë e fundit, Rozeta Dobi ka treguar se ka bashkëpunuar me Alda Klosin duke e inskenuar si grabitje, pasi zyrtarja ka dashur që t’ia hidhte fajin bashkëshortin, me të cilin kishte pasur konflikte. Sipas Rozetës, Alda i ka thënë që të marrë 120 mijë eurot nga kasaforta dhe t’i fshihte dhe të gjithën ta inskenonte si grabitje.
“Paratë vinin që nga viti 2021. Unë nuk kam dijeni kush i sillte por paratë vinin në çantë. Në dhjetor 2022 Alda ngaqë kishte konflikte me burrin më kërkoi t’i ruaja. Atë ditë që i mora nuk ishte në shtëpi. Më tha merri në kasafortë. Vjedhjen e inskenova pasi ajo donte të ngarkonte me përgjegjësi burrin”, ka thënë Rozeta Dobi.
Vjedhja
Në kërkesën e prokurorisë për vleftësimin e masës së sigurisë ndaj Dobit dhe të birit, u mësua se policia është njoftuar nga Klosi për vjedhjen e banesës së saj më 15 dhjetor 2022. Ajo ka sqaruar se prej rreth dy muajve kishte marrë me qira një banesë në “Rrugën e Kosovarëve”, ku jetonte së bashku me të bijën. Sipas Klosit, paraditen e 15 dhjetorit ka shkuar në zyrë tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe rreth orës 14:00 atë e ka telefonuar vajza e saj, e cila i ka komunikuar se dera e banesës ishte e hapur, ndërkohë që në dhomën e gjumit të gjitha rrobat e dollapit kanë qenë të hedhura mbi krevat dhe në dysheme.
Klosi ka sqaruar se pas kontrollit ka konstatuar se i mungonin më shumë se 120 mijë euro që kanë qenë prerje pesëqindëshe dhe dyqindëshe, si dhe një shumë prej 30 mijë dollarë të cilat kanë qenë prerje njëqindëshe. Ajo ka pretenduar se ato para i kishte të xhaxhait dhe të bashkëshortes së tij, që i kishin lënë për të kompletuar për shtëpinë e tyre dhe për nevoja shëndetësore, pasi vëllait i të atit ishte i sëmurë me kancer. Sipas saj, familja e xhaxhait jeton në Amerikë dhe i ka mbledhur ato para ndër vite.
Po ashtu, Klosi ka deklaruar se zotëronte katër unaza floriri njëra prej të cilave me tre gurë diamanti; vathë të ndryshme; varëse floriri; si dhe një çantë e një portofol, të dyja të markës Valentino. Ajo ka ngritur dyshime se autorja e vjedhjes mund të kishte qenë pastruesja Rozeta Bido.
Ndërkohë, nga kontrolli i ushtruar fillimisht në banesën e familjes Bido janë gjetur dhe sekuestruar 58 mijë e 150 euro; 7000 dollarë; 368 mijë lekë; 10 byzylykë me ngjyrë floriri ose argjendi; 19 varëse me ngjyre floriri ose argjendi, disa prej të cilave më gurë; 60 vëthë disa prej të cilëve në ngjyrë floriri ose argjendi; dy orë dore me ngjyrë flori të markës Maserati dhe Armitron; disa tesha; si dhe çanta e portofoli, të markës Valentino.
Nisur nga dyshimet se në banesën e familjes Dobi fshiheshin edhe sende të tjera është ushtruar nga policia kontroll i imtësishëm dhe në vijim, në tubin e aspirimit janë gjetur të fshehura një shumë prej 404 mijë e 800 euro dhe 8500 USD.
Po ashtu, janë sekuestruar edhe tre automjete të tipit Mercedes Benz që dyshohet se Havier Dobi i ka blerë me paratë e vjedhura, si dhe disa aparate telefoni të lëvizshëm.