Mjeku i QSUT Nazmi Metaliu dhe tekniku imazherist Astrit Mansaku u denoncuan nga një qytetar më 2 shkurt të këtij viti për korrupsion.

Qytetari është paraqitur fillimisht te Trauma për disa shqetësime shëndetësore dhe më pas në QSUT për të bërë skaner, ku është takuar me mjekun Nazmi Metaliu, nga i cili ishte vizituar disa vite më parë. Qytetari i ka treguar shqetësimet që kishte doktorit Metaliut. Ky i fundit i ka thënë se një skaner i trupit do t’i jepte përgjigje për shqetësimet që kishte.

Sa i përket mënyrës për të marrë shërbimin, mjeku i thotë se do ta rregullonte ai pasi të fliste me personelin mjekësor dhe se duhet dhënë para tek ata, pasi si rregull bëhet me planifikim dhe vononte disa muaj, raporton “BalkanWeb”.

Pas kësaj qytetari ka nisur bashkëpunimin me policinë, që daton më 13 janar dhe ka bërë marrëveshje për përgjim.

Më tej qytetari shkon me një tjetër person dhe flasin me mjekun për të lënë orarin për skanerin, kjo pasi dhe miku i tij kishte probleme me mushkëritë.

Mjeku i thotë se do të fliste që ta bënin shërbimin me 6000-7000 lekë të reja dhe kur të kishte ditën dhe orën e saktë do ta njoftonte.

Ndërkohë në dosjen e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala dhe të zbardhur nga “BalkanWeb” pasqyrohen me detaje dëshmitë e qytetarëve të përfshirë në përgjime dhe dy mjekëve të arrestuar, si dhe veprimet e policisë.

Në raportin e shërbimit për ditën e arrestimit më 2 shkurt 2023 rezulton se në orën 10:17 dy qytetarët shkojnë në ambientet e QSUT Nënë Tereza në Tiranë. Fillimisht takohen me doktor Nazmi Metaliu bisedojnë përreth 7 minuta. Më pas të tre shkojnë në katet e poshtme të pavionit. Në orën 10:20 këta shtetas takohen me imazheristin Astrit Mansakun për të kryer skanerin. Më pas njëri prej qytetarëve futet për të bërë skanerin. Në orën 10:35 shtetasit dy qytetarët dalin nga ambientet e QSUT Nënë Tereza në Tiranë.

Pas këtij momenti ndërhyn policia në dhomat e skanerit, ku arrestohen mjekët. Në xhepin e përparëses iu gjenden, njërit 5 mijë lekë të reja dhe tjetrit (Nazmi Metaliut) 1 mijë lekë të reja.

PËRGJIMET

Astrit Mansaku, me detyrë imazherist pranë QSUT
Nazmiu Metaliu, doktor në QSUT

Në përgjimet e bëra në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë më 2 shkurt në orën 12:45 mes mjekut Nazmi Metaliu dhe imazheristit Astrit Mansaku rezulton:

Astriti-Nazmiut: A e di çfarë ke bërë ti?

Nazmiu: Kam pushkatuar veten, të kam pushkatuar dhe ty.

Astriti: Ne sikur t’ia bëjmë vetes është tjetër histori, por me ia bërë shokut….

Nazmiu: Pse dua unë me ia bo vetes. Erdhi ai p***i nan*s që e pata bo para dy javësh dhe sa e bo tha, e i thashë…Paska qenë njeri i pabesë or burrë.

Astriti: Kjo është shoqëria mor burrë, kjo është me vra veten, me u var në litar, nuk ke çi bo o Naz.

Nazmiu: Më thoshte hajde me mu, me vra veten.

Astriti: As me fol nuk fol dot ma.

Nazmiu: Se mos ketë ndonjë djall këtë, mos fol, muti i samës erdh tek unë dhe më tha hajde mere një kafe, po lene i thashë unë, po çfarë plehre paska qenë.

Astriti: Po lene atë punë kanë ato sikur ne kemi punën tonë dhe ata kanë të veten. Ai është në rregull me veten, ai për atë punë ka dalë, s’ke pse e shan faji është i joni.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë ushtrimit të detyrës, iu mundësonin qytetarëve të ndryshëm, kundrejt shumave monetare, bërjen e skanerit, në kundërshtim me rregulloren e Spitalit, për kryerjen e kësaj procedure.