Vënia nën akuzë dhe arrestimi pak para mesnate të datës 3 shkurt duket se ka shkaktuar probleme shëndetësore për ish-zyrtaren e lartë Alda Klosi.
Mësohet se pasi e kanë vendosur në qeli, ish-shefja e kabinetit të Arben Ahmetajt ka treguar shenja të tensionit të lartë.
Si pasojë ajo është dërguar me urgjencë në QSUT ku dhe ka marrë trajtimin e parë e më pas duke u vendosur nën kujdesin e mjekëve, por edhe nën ruajtjen e policisë.
Burimet kanë bërë të ditur se gjatë orëve të para të së shtunës ajo ka shfaqur shenja stabiliteti, por do të vazhdojë të jetë nën trajtim nga bluzat e bardha.
Tashmë pritet që të hënën gjykata të vendosë ndaj saj masën e sigurisë.
Ndalimi i Klosit erdhi pas dëshmisë së pastrueses që fillimisht u akuzua për grabitjen e 120 mijë eurove. Ndërsa gjithçka ka ndryshuar pasi në banesë iu gjetën edhe 404 mijë euro të tjera.