Është shtyrë për në orën 12:00 seanca gjyqësore ndaj ish zyrtares së Kryeministrisë Alda Klosi. Mësohet se seanca që ishte parashkuar të mbahej në spital aty ku Klosi ndodhet prej dy ditësh pas problemeve me shëndetin, është vendosur që të zhvillohet në gjykatë.

Klosi akuzohet për veprat për pastrim parash, deklarim të rremë para policisë dhe fshehje pasurie ndërsa Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për të.

Arrestimi i Alda Klosit erdhi pas dëshmisë së Sanitares Rozeta Dobi e cila më herët ishte arrestuar me akuzën e vjedhjes së 120 mijë eurove nga shtëpia e zyrtares. Një kontroll i dytë i banesës së Rozeta Dobit dhe të birit Havier Dobi zbuloi dhe 405 mijë euro të tjera.

Thellimi i hetimeve nga policia dhe prokuroria e kryeqytetit si edhe pyetja për disa orë e sanitares Rozeta dobi zbuloi se gjithçka ka qenë inskenim dhe paratë e gjetura në banesë nuk ishin vjedhur por ish zyrtarja e lartë ia kishte dhënë për t’i fshehur.