Turqia nuk do të pranojë më pacientë nga vendet e tjera që janë të infektuar me COVID-19 dhe kërkojnë të trajtohen në spitalet turke.

Kështu me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë, është ndaluar sjellja e pacientëve COVID-19 pozitivë në Turqi me aeroplan privat, deri në një urdhër të dytë.

Nëse ky urdhër nuk respektohet nga kompanitë dhe spitalet, qeveria do të vendosë sanksione për bizneset përkatëse.

Urdhri i ministrisë është shpërndarë nga Autoriteti i Aviacionit Civil Turk dhe në të gjitha kompanitë ajrore që mundësojnë fluturimet drejt Turqisë.

Sipas gazetës turke “Sozcu”, vendimi i qeverisë vjen pasi numri i shtretërve në spitalet turke është zënë në masën 79.8 përqind.

Përkundër kësaj, gazeta turke “Sözcü”, shkruan se ndërsa qytetarët turq nuk gjejnë vende në spital, pacientë me covid shkojnë nga jashtë me avionë-ambulancë çdo ditë. Rreth 20 mijë dollarë është shuma që pacientëve nga vende të ndryshme paguajnë në spitalet turke.

Iraku, Gjeorgjia, Rusia dhe Shqipëria janë katër vendet nga ku ka pasur më shumë pacientë me COVID-19 që kanë fluturuar drejt Turqisë.

Fluturimet nga këto vende drejt Turqisë, me avion spitalor kushtojnë nga 18 deri në 22 mijë euro.