Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, u shpreh se deri më sot nuk ka informacione për qytetarë me nënshtetësi shqiptare që të kenë qenë banorë të zonave të prekura nga tërmeti në Turqi, apo të kenë humbur kontaktet me familjarët e tyre.
Xhaçka u shpreh se në këto zona ka pasur rreth 10 familje me origjinë shqiptare që janë zhvendosur para 100 vitesh në Turqi, që kanë humbur kontaktet me familjarët në Shqipëri, por tashmë janë në kontakt.
“Sot që flasim paçka se kemi vënë në dispozicion numra kontakti përmes ambasadës dhe konsullatës apo adresa emaili dhe kemi koordinuar këtë lloj komunikimi nuk kemi asnjë informacion për qytetarë shqiptarë, pra me nënshtetësi shqiptarë, që të kenë qenë pjesë apo rezidentë të këtyre zonave, apo të kenë humbur kontakte me familjarë të tyre. Kemi pasur informacion për rreth 10 familje me origjinë shqiptare. Të parët e tyre janë zhvendosur në Turqi 100 vjet përpara. Pra jo me nënshtetësi shqiptare, por me origjinë shqiptare, që fatmirësisht janë në kontakt me të afërmit e tyre paçka se e kishin humbur atë në momentet e para”, u shpreh Xhaçka.