Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se mjekët e shërbimit të Hemodinamikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kanë kryer me sukses një ndërhyrje të rrallë në zemër ndaj një 27-vjeçari.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kreu qeversë shkruan se se mjekët kanë bërë mrekulli në operacionin që zgjati 5 orë.
“Për herë të parë në Shqipëri u bë vendosja e aparatit CRT-D (terapi resinkronizimi dhe defibrilator i implantueshëm kardiak) si dhe vendosja e një sonde subkutane për defibrilim kardiak.
Pajisjet CRT-D janë pajisje shumë të kushtueshme dhe bartin një shkallë të lartë vështirësie për t’u vendosur, por falë investimeve të kryera në QSUT dhe kualifikimit të stafit mjekësor, u bë e mundur ndërhyrja delikate që rezultoi e suksesshme për të riun 27-vjeçar”, njoftoi Rama.
Në reagimin e tij, Rama ka shprehur mirënjohje për mjekët dhe infermierët që morën pjesë në këtë operacion.
“Super punë e ekipit të mjekëve me Dr.Ormir Shurdha, Dr. Mirald Gina, stafit të infermierëve të Hemodinamikës me kryeinfermiere Ledja Grrica, dhe ndihmën e veçantë për anestezinë të Dr. Saimir Kuçi”, shkruan Rama.