Aparaturat e teknologjisë së lartë janë instaluar në Spitalin e Ri të Sëmundjeve të Brendshme. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, Ogerta Manastirliu, bashkë me shefat e shërbimit dhe drejtuesit e QSUT, kanë inspektuar nga afër instalimin e angiografit të ri në Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme.
“Angiografi është instaluar në Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme që do të fuqizojë padyshim shërbimin e Hemodinamikës edhe sigurisht do t’i hapë rrugë edhe ndërhyrjeve të tjera invasive dhe të kombinuara. Është vërtetë një prej hapave të modernizimit të mëtejshëm të shërbimeve në sëmundjet interne në këtë spital të ri, do të pasohet menjëherë nga transferimi i aparturave të tjera, por kjo është një aparaturë e re që rrit edhe në numër ndërhyrjet invazive dhe synon edhe kompleksitetin e ndërhyrjeve invazive në zemër, si dhe për aspekte të tjera të proçedurave që ky aparat shërben”, -tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije se spitali i ri do të hapet brenda muajit mars dhe do të ofrojë për qytetarët shërbim me standarte evropiane.
“Ne duam që brenda muajit Mars të fillojmë funksionimin e këtij spitali. Urgjenca polivalente do të jetë një shërbim i cili transferohet në spitalin ekzistues, por tashmë edhe me modalitete të reja, edhe me një mënyrë të re organizimi dhe fakti që tashmë do të kemi një spital të gjitha ekzaminimet përsa i përket urgjencës edhe përsa i përket intervencionit do të ketë të gjithë aparturat e nevojshme dhe do të krijojë më shumë lehtësi, më shumë fleksibilitet, por edhe më shumë dinamikë në trajtimin e raste dhe shërbime më cilësore”,-tha Manastirliu.