Leku po fiton sërish terren në kursin e këmbimit me euron.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, ditën e martë euro u këmbye në nivelin e 115.88 lekëve, niveli më i ulët në një muaj.
Agjentët e tregut valutor shprehen se kërkesa për euro është e vakët, ndërsa oferta valutore ngelet e bollshme.
Në ditët e fundit të vitit 2022 dhe në pjesën e parë të muajit janar euro shënoi një rritje të ndjeshme ndaj lekut.
Sipas agjentëve, kërkesa e përkohshme për euro mund të jetë nxitur nga rënia e kursit të saj në nivele shumë të ulëta, çka u pa nga shumë agjentë ekonomik si shans i mirë për të blerë euro për nevojat e parashikuara valutore në monedhën europiane.
Kjo tendencë mund të jetë ndikuar edhe nga përqendrimi i lartë i shpenzimeve buxhetore në javët e fundit të vitit 2022, që krijoi rritje të ofertës së lekut në tregun valutor dhe paralelisht iu dha bizneseve likuiditet të shtuar, një pjesë e të cilit mund të jetë përdorur për blerje të euros në avancë, duke parë edhe kursin e favorshëm në fund të dhjetorit.
Më datë 28 dhjetor të vitit të kaluar euro zbriti në vlerën e 112.83 lekëve, niveli më i ulët i të gjitha kohërave në kursin e këmbimit me lekun.
Ekspertët parashikuan se këto blerje në avancë do të reflektoheshin në një zbehje të kërkesës për euro gjatë tremujorit të parë të vitit 2023.
Deri tani, një projeksion i tillë po konfirmohet dhe kursi i euros po ndjek një trajektore graduale rënëse gjatë gjysmës së parë të muajit shkurt.
Krahasuar me një vit më parë, kursi i këmbimit mes euros dhe lekut paraqitet në rënie me 4.4% dhe mbiçmimi monedhës vendase po vazhdon edhe në pjesën e parë të këtij viti.
Sipas ekspertëve, forcimi i lekut mund të lidhet me rritjen e flukseve hyrëse valutore në bilancin e pagesave, i mbështetur sidomos nga turizmi, eksportet e shërbimeve dhe nivelet e larta të investimeve të huaja, por edhe nga nivelet konstante të prurjeve informale të valutës në ekonomi.
Vitin e kaluar, depozitat bankare në euro u rritën me 17% dhe ky është një tregues i tërthortë se prurjet valutore në ekonomi ngelen të larta.
Një tjetër faktor që teorikisht e mbështet forcimin e lekut është lëvizja në kahun shtrëngues e politikës monetare dhe rritja e shpejtë e normave të interesit gjatë vitit 2022.
Ekspertët shprehen skeptikë lidhur me ndikimin e këtij faktori në tregun valutor shqiptar, megjithatë nuk përjashtohet që veçanërisht rritja e shpejtë e yield-eve vitin e kaluar mund të ketë joshur një pjesë të investitorëve t’i kthejnë kursimet nga euro në lekë, për ti investuar me kthime më të larta.