Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar gjatë raportimit ditor rreth situatës së koronavirusit në vendin tonë, lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në QSUT, ku një foshnje 16 muajshe nga Durrësi humbi betejën me Covid.

Sipash MSH, foshnja nuk ka mundur të mbijetojë si pasojë e një komplikacioni të rrallë (Sindroma Inflamatore  Multisistemike) ndër komplikacionet më të rralla që haset në moshën fëminore si pasojë e COVID19.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së fëmijës që humbi jetën sot në pediatrinë e Tiranës, megjithë përpjekjet e mëdha të stafit mjekësor për ta shpëtuar. Informojmë se, referuar QSUT, një fëmijë 16 muajsh ka ndërruar jetën si pasojë e COVID19. I ndjekur dhe trajtuar në pavionin COVID në Pediatrinë e Tiranës për gjendjen dhe shenjat klinike për S. Kawasaki, gjendja e tij u rëndua brenda 24 orëve dhe më pas është dërguar në terapinë intensive ku, megjithë mjekimin me terapinë e plotë të trajtimit dhe përpjekjet e mëdha të mjekëve të reanimacionit, nuk ka mundur të mbijetojë, si pasojë e një komplikacioni të rrallë (Sindroma Inflamatore Multisistemike) ndër komplikacionet më të rralla që haset në moshën fëminore si pasojë e COVID19.”, thuhet në njoftimin e ministrisë.