Vera e vitit 2021 pritet të shohë Serxhio Ramos t’i japë lamtumirën pas më shumë se një dekade Real Madridit. Mbrojtësi nuk është i kënaqur me mënyrën se si është trajtuar vitet e fundit në klub, ku nuk i kanë dhënë rëndësinë që meriton dhe sidomos ku nuk e kanë paguar aq sa ai mendon se meriton.

Kështu, futbollisti ka vendosur që të nisë negociatat me klube të tjera dhe për momentin, një prej tyre është në avantazh të ndjeshëm në krahasim me të gjithë të tjerët. PSG është vënë në ndjekje të futbollistit prej kohësh, pasi kërkon një emër të madh në prapavijë, për të zëvendësuar Tiago Silvan e larguar këtë verë. Parisienët janë të ndërgjegjshëm për moshën e Ramos, por gjithashtu se ai është i fiksuar pas formës fizike, ndaj nuk shqetësohen për vitet e lojtarit.

Mediat spanjolle parashikojnë që atij do t’i bëhet një ofertë e parë zyrtare në janar, kur është i lirë të negociojë me çdo klub tjetër. Flitet për shifra sheikësh, 20 milionë euro në vit, ofertë të cilës Reali as nuk mund t’i afrohet e që sigurisht do të tundojë Ramos, sidomos për faktin se përpara do të ketë për të nënshkruar një marrëveshje trevjeçare.