Arijeta Kavaja është policja me origjinë nga Kosova e cila është shpallur “policja e vitit” nga University of Central Florida në Amerikë.
Për herë të parë për një media shqiptare ajo ka treguar mbi jetën e saj, se si arriti të shpëtonte nga vetëvrasja në universitetet një pedagoge, dëshirën për t’u kthyer përsëri në Kosovë dhe ndihmuar gratë aty dhe jo vetëm.
Për Euronews Albania, oficerja Kavaja ka treguar se çmimi i marrë së fundmi është një dekoratë e rëndësishme dhe tejet e vështirë, pasi ka të bëjë me mënyrën sesi menaxhohen krizat në komunitet.
“Çmimin pse e fitova? Kam pasur shumë raste me studentët, ka qenë një profesoreshë e cila kishte vendosur të bënte vetëvrasje. Vetëvrasjen kishte vendosur ta bënte në zyrën e punës, në universitet. Erdhi thirrja, në ato momente të gjithë vrapuam, kishte marrë thikën e kuzhinës që e kishte marrë në zyrë. Ishte e mbyllur brenda në zyrë. Ajo ndërtesë është e vështirë sepse nuk kishim informacion se ku konkretisht ajo ishte. Për fat e gjeta unë, e kishte mbyllur derën, nisa t’i flisja, e binda të hapte derën. E binda të me jepte thikën, ja largova thikën, u ula e po bisedoja me të. Ajo ishte profesore historie, për Luftën e Dytë Botërore, dhe unë në ato momente e shfrytëzova sepse gjyshi im ka qenë në Luftën e Dytë Botërore. Folëm aq shumë sa harroi ku ishte e çfarë po ndodhte dhe gjithçka përfundoi”, tregoi policja.