Zbulimi i një makine “BMW X6” gati për atentat, ku brenda së cilës kishte dy kallashnikovë, një pistoletë “Glock” dhe dy shishe benzinë, ka vënë në alarm njerëzit e afërm të Erjon Alibej dhe kunatin e tij, që ndodhet në të njëjtin pallat, Arben Spahiu.

Ky i fundit është vëllai i Arjan Spahiut i vrarë në Belgjikë, ku autor i kësaj ngjarje dyshohet se është Mikel Kamami alias “Keli i Kicit”. Njëherësh Arbeni, është vëllai i Rigers Spahiut, të arrestuar për arsenalin e armëve të zbuluara në muajin tetor 2022.

Për shkak të serive të shumta, të vrasjeve të nisura qysh prej 29 dhjetorit 2018, Erjon Alibej i druhej seriozisht një hakmarjeje të mundshme.

Përpara prokurorëve të SPAK, ai ka treguar një moment kur ndodhej në shtëpinë e tij, në takim me shefin e sektorit të Krimeve, Leonard Palushin. Alibej ka sqaruar se si ai kontrollonte lëvizjet e personave të dyshimtë rreth lagjes së tij, ndërkohë që mbante pa lëshuar nga duart një tablet “IPAD”,të cilin e merte me vete kudo ku shkonte.

Madje veç instalimit të një numri të madh kamerash me cilësi të lartë filmimi, Erjon Alibej, kontrollonte hapësirat edhe përmes tre dronëve që herë pas here i ngrinte në fluturim. Aktualisht tashmë tre dronët e tij janë sekuestruar nga SPAK dhe së bashku me dy “Hard Disqe”, janë çuar për ekspertim komjuterik në policinë shkencore.

Në dokumenta të siguruara nga “Ora News”, tregohet se si Alibej, jep një përshkrim rreth investimit të tij në teknologji të lartë për të parandaluar një sulm të mundshëm në pallatin e tij.

“…më ka ardhur Leonard Palushi, në banesë dhe jemi takuar. Në këtë takim isha me IPAD në dorë, sepse nga rrethanat që më kishin ndodhur, isha i detyruar bashkë me familjarët e mi, të ruheshim gjatë gjithë kohës. Përmes IPAD-it unë vëzhgoja kamerat e sigurisë që kisha në aprtament dhe në rrugë afër pallatit ku banoja. Mbaj mend që Leonard Palushi, më thotë se kamerat ishin shumë ta qarta dhe shumë të pastra si kamera…”-ka treguar në prokurori Erjon Alibej.

Heqja e kamerave të sigurisë nga policia e Elbasanit, në zonën ku banon familja e Erjon Alibej, duke se ka sjellë depërtimin e kundërshtarëve të tij, duke çuar një makinë luksoze shumë pranë banesës.

Por versioni se pikërisht ky mjet dhe armatimi, mund të përdoreshin për goditjen e njerëzve të Alibej, nuk është pikëpyetja e vetme që qëndron në tavolin e hetuesve.

Pasi një version i dytë i ngritur prej tyre është se makina dhe armatimi, mund të jenë bërë gati nga vetë njerëzit e Erjon Alibej, për të goditur Talo Çelën dhe Elton Kilën.

Ky version vjen në një kohë, pasi në muajin tetor 2022, policia kriminale e Elbasanit, zbuloi në çatinë e një banese një arsenal të madh armësh, që i përkisnin grupit të Erjon Alibej.

Për këtë ngjarje, Luis Gaxhit alias Isai dhe miku i tij Rigers Spahiut me profesion elektroaut, u arrestuan nga policia.

Marrë nga OraNews