Nga Bujar Qesja

Lajmet e dhimbshme nuk kanë të sosur. Një tjetër trishtim na mbuloi. Një tjetër goditje në kohën e goditjeve. Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare (ditëlindja e tij 17 janar 1938), një personalitet i boksit, një intelektual i sportit, një siguri e cilësive më të mira njerëzore. Me Rekajt e famshëm të Durrësit janë të afërt, duke e evidentuar edhe njëherë këtë fis të njohur me shumë vlera dhe ndihmesë në sportet.

Do të na mungojë një njeri i shkëlqyer, një mik e shok i hershëm, një ndihmëtar i jashtëzakonshëm i boksit. Ka merita të mëdha në zhvillimin teorik dhe praktik të boksit në vëndin tonë.

Nuk ka një të dytë në vendin tonë, që ta ndiqte Rekën e fortë të dorezave. Boksier ringu, gjyqtar ringu, trajner, studiues, historian, krijues dhe hulumtues i pazakontë në këtë boks tashmë të zhvilluar tonin, përfaqësues në organizmat ndërkombëtare të boksit, drejtues i Federatës Shqiptare të Boksit, plotësojnë gjerdanin e artë të meritave dhe arritjeve të dukshme, të kësaj legjende të gjallë të boksit.

Ai lindi kur vdiq Skëndërbeu i Madh, për të treguar se krahët e fuqishëm dhe fitues të një luftëtari të madh e të lavdishëm, ndiqen nga një përfaqësues i sportit të muskujve të hekurt, duke hedhur në fushë betejë sfiduesit e përballjeve të tyre. Ramiz Rekës, Zoti i dha edhe një përkim shumë origjinal dhe të kërkuar nga cilido boksjer: ai lindi në një ditë më boksjerin e paarritshëm të ringut botëror, me emrin drithërues Muhamed Ali (Kasius Klej).

Memorien për të, krejt papritur e zëvëndësuam me një inmemoriam në këtë të enjte, të 19 nëntorit 2020.

Lamtumirë Ramiz Reka, historia e përjetshme e boksit!