Vit pas viti, përqindja e të moshuarve mbi 65 vjeç në raport me popullsinë në moshë pune (15-64 vjeç) po rritet, duke e vënë vendin dhe ekonominë para sfidave të panjohura më parë.

Rritja e numrit të pensionistëve në raport me ata që punojnë do të krijojë një disbalancë financiare për moshën e tretë, pasi do të ketë gjithnjë e më pak punonjës që kontribuojnë në sistemin e sigurimeve ndërkohë që përfituesit do të rriten me shpejtësi.

Eurostat raportoi se në Bashkimin Europian raportet e varësisë së moshës mbi 65 vjeç arritën në 33% me 2022 ose 0.5 për qind më shumë se në vitin 2021.

Në këtë analizë Shqipëria renditet ende me një raport të ulët të varësisë ndaj të moshuarve por vendi po plaket me shpejtësi. Të dhënat për Shqipërinë i përkasin vitit 2021, ku personat mbi 65 vjeç zënë 22.3% të popullsisë në moshë pune.

Shqipëria bashkë me Luksemburgun kryesojnë Europën për varësinë e ulët të të moshuarve. Në anën tjetër Italia, Finlanda, Portugalia, Greqia dhe Kroacia kryesojnë Europën për raportet e larta të varësisë të të moshuarve ndaj popullsisë në moshë pune.

Psh në Itali popullsia mbi 65 vjeç zë 37.5% të popullsisë në moshe pune, në Finlandë 37.4%, në Portugali 37.2% në Greqi 35.6% etj (shiko grafikun bashkëngjitur).

Raporti i varësisë së të moshuarve në BE ishte 33%. Që nga viti 2002 ky tregues është rritur me 8.7 pikë përqindje.

Në Shqipëri, raporti i varësisë së të moshuarve arriti në 22.3% më 2021 nga 12.3% që ishte në vitin 2002, me 10 pikë për qind rritje. Të dhënat krahasuese tregojnë se Shqipëria po plaket me ritme më të shpejta se Europa.

Në realitetin shqiptar ky raport është edhe më i përkeqësuar, për shkak të një vale të madhe të emigracionit të të rinjve si azilkërkues në BE dhe Britani në vitet e fundit.

Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, numri i personave mbi 65 vjeç për 100 persona në moshë pune do të jetë 43.8 në vitin 2050.

Aktualisht në Shqipëri ka 23.2 të moshuar 65 vjeç e sipër, për çdo 100 persona në moshë pune (20-64 vjeç).

Pra deri në 2050-n, ky tregues pothuajse do të dyfishohet, duke shtuar presionet për shërbime tek të moshuarit, por duke ndikuar negativisht dhe në skemën e pensioneve, pasi do të ketë më pak kontribuues për më shumë pensionistë. Një tjetër efekt lidhet me produktivitetin e punës, pasi do të jetë gjithnjë e më e vështirë për të gjetur në rinj në tregun e punës.

Në Shqipëri rreth 35% të shpenzimeve totale të buxhetit shkojnë për mbulimin e skemës deficitare të pensioneve, sipas shifrave zyrtare nga Ministria e Financave.

Plakja e popullsisë është një fenomen global. Pothuajse çdo vend në botë po përjeton rritje si në madhësi, ashtu edhe në përqindjen e personave të moshuar në popullatë. /Monitor

Burimi: Eurostat