Kina ka përsëritur thirrjet për një zgjidhje politike të konfliktit të Ukrainës në 1-vjetorin e pushtimit nga Rusia. Kjo pasi Pekini është në një presion në rritje nga SHBA dhe aleatët e saj për partneritetin e saj me Moskën.
Në një letër të publikuar të premten, Ministria e Jashtme e Kinës bëri thirrje për rifillimin e bisedimeve të paqes, fundin e sanksioneve të njëanshme dhe theksoi kundërshtimin e saj për përdorimin e armëve bërthamore.
“Konflikti dhe lufta nuk janë në dobi të askujt. Të gjitha palët duhet të qëndrojnë racionale dhe të shmangin rëndimin e tensioneve për të parandaluar përkeqësimin e krizës, apo daljen e saj jashtë kontrollit”.
Dokumenti me 12 pika është pjesë e përpjekjeve më të fundit të Pekinit për ta paraqitur veten si vend neutral që kërkon paqe mes dy vendeve.
CNN shkruan se pretendimi i Pekinit për neutralitet është minuar nga refuzimi i tij, për të pranuar natyrën e konfliktit, duke mos e quajtur pushim për shkak të natyrës së mbështetjes diplomatike dhe ekonomike ndaj Moskës.
Zyrtarët perëndimorë kanë ngritur gjithashtu shqetësime se Kina mund të planifikojë t’i japë Rusisë ndihmë vdekjeprurëse ushtarake, një akuzë e mohuar nga Pekini.
Dokumenti i pozicionit është kryesisht një përsëritje e pozicionit ekzistues të Kinës, i cili përfshin nxitjen e të dy palëve për të rifilluar bisedimet e paqes. “Dialogu dhe negociatat janë e vetmja zgjidhje e mundshme për krizën e Ukrainës”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se Kina do të luajë një “rol konstruktiv”, pa treguar më shumë detaje.





