Policia e shtetit ka rihapur 300 aplikime për vende pune për “Patrullë të Përgjithshme” në Kolegjin Profesional, në Akademinë e Sigurisë, me qëllim plotësimin e vendeve të lira, 9 drejtorinë vendore të Policisë.

Përzgjedhja e do të bëhet përmes nj procesi konkurrimi i cili do të jetë transparent ku do të zgjidhen aplikantët me të mirë dhe më të përgatitur.

Aplikantët kanë kohë deri në datën 15.03.2023.

Pasi të përfundojnë  të gjitha fazat e konkurrimit 300 aplikantët që do të rezultojnë fitues në listën e qarkut ku kanë aplikuar, bazuar në kuotat e vendosura për çdo qark, do të ndjekin studimet për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë.

Policia ka shpallur kriteret e aplikimit, dokumentacionin për të aplikuar gjithashtu dhe adresën e e-mail [email protected] , për çdo pyetje apo shqetësim.

Policia e Shtetit

Rihapen aplikimet për 300 vende, për “Patrullë të Përgjithshme” në Kolegjin Profesional, në Akademinë e Sigurisë, me qëllim plotësimin e vendeve të lira në 9 drejtori vendore të Policisë.

Me qëllim përzgjedhjen përmes një procesi konkurrimi transparent, të aplikantëve më të mirë dhe më të përgatitur, Policia e Shtetit rihap aplikimet për plotësimin e vendeve të lira, në drejtoritë vendore të Policisë në qarqet: Tiranë, Durrës, Korçë, Fier, Vlorë, Lezhë, Shkodër, Kukës dhe Dibër.

Kuotat e pranimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë, janë 300, dhe janë të ndara sipas nevojave organike të Drejtorive Vendore të Policisë.

Aplikimet janë të hapura deri në datën 15.03.2023. Secili nga aplikantët duhet të dorëzojë dokumentacionin pranë Drejtorisë Vendore të Policisë, ku ai ka vendbanimin e përhershëm.

Theksojmë faktin se aplikimet e bëra nga data 15.11.2022 deri në datën 30.12.2022, pranë Drejtorive Vendore të Policisë, janë të vlefshme, dhe ata aplikantë që kanë kaluar fazën e verifikimit të dokumentacionit, do të vijojnë me fazën e radhës, atë të testimit teorik, në datën që do njoftohen nga strukturat e burimeve njerëzore në DVP-në ku kanë aplikuar.

Në përfundim të të gjitha fazave të konkurrimit, 300 aplikantët që do të rezultojnë fitues në listën e qarkut ku kanë aplikuar, bazuar në kuotat e vendosura për çdo qark, do të ndjekin studimet për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë.

KRITERET PËR APLIKIM

Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në shkollën bazë të Policisë, për “Patrullë të Përgjithshme”, janë:

– Të jetë shtetas shqiptar;

– Të jetë jo më shumë se 30 vjeç;

– Të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;

– Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;

– Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

– Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën dhe të mos ketë shenja të dukshme (tatuazh) që nuk mbulohen nga uniforma verore e Policisë;

– Të ketë mbaruar arsimin e mesëm;

– Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi ose të një kundërvajtjeje penale me dashje;

– Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;

– Të jetë i pajisur me vërtetim besueshmërie.

DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM

Aplikantët duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm, për aplikim në Polici:

– Kërkesën e motivuar, në të cilën shprehen arsyet pse aplikanti dëshiron të bëhet pjesë e Policisë së Shtetit;

– Formularin e aplikimit dhe autorizimin për sigurimin e dokumentacionit;

– Fotokopje të kartës së identitetit;

– Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;

– Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit, të tipit “B”;

– Vërtetim nga gjykata;

– Vërtetim nga prokuroria;

– Fotokopje të librezës së punës, për ata që janë në marrëdhënie pune ose i kanë shkëputur marrëdhëniet e punës;

– Vërtetim që ndjek arsimin e lartë (për ata që vazhdojnë arsimit e lartë);

– Dokument i lëshuar nga institucionet shëndetësore, që vërteton se aplikanti nuk është përdorues i lëndëve narkotike;

– Mandat-pagesa e tarifës së aplikimit.

Kontrolli mjekësor dhe analiza që vërteton se nuk je përdorues i lëndëve narkotike janë procedura që kryhen në fazën e kontrollit shëndetësor.

Dëshmia e penalitetit dhe certifikata familjare nxirren nga vetë strukturat policore ku kryhet aplikimi.

Secili aplikant, për çdo paqartësi që mund të ketë lidhur me këtë proces, mund të drejtohet pranë strukturave të Burimeve Njerëzore të Drejtorisë Vendore të Policisë ose pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Po ashtu, mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre, me e-mail, në adresën:

[email protected]

Policia e Shtetit është e interesuar që të ketë sa më shumë aplikime dhe në këtë kuadër fton të  gjithë të rinjtë dhe të rejat, që të aplikojnë, duke iu garantuar një proces konkurrimi transparent dhe të paanshëm, sipas parimeve të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritokracisë.