Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten vendi më i prekur nga pandemia COVID-19. Të paktën 1,707 viktima të reja nga Covid-19 u raportuan ditën e djeshme, sipas të dhënave të Universiteti Johns Hopkins. Një normë kjo e barabartë me më shumë se një të vdekur në çdo minutë.

Dr. Jonathan Reiner, një profesor në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit George Washington tha se situata vetëm po përkeqësohet.

“Numri i tmerrshëm i vdekjeve që pamë dje në Shtetet e Bashkuara pasqyron numrin e njerëzve që ishin infektuar tri javë më parë”,  tha Reiner.

Sipas tij, në javët e ardhshme parashikohen 3,000 vdekje në ditë.“Mesatarisht, dy deri tre javë më parë, ne po shihnim 70,000 deri 80,000 raste të reja në ditë. Dje, kishte rreth 155,000 (raste) të reja. Pra, nëse jeni të alarmuar në 1,700 vdekje sot, dy deri në tre javë nga tani, ne do të shohim 3,000 vdekje në ditë”- tha ai.

Gjithashtu, SHBA ka vendosur një rekord të ri sa i takon pacientëve të cilët ndodhen nën kujdes spitalor. Vetëm ditën e djeshme janë shtruar në spital 76,830 persona. Situata po përkeqësohet pasi spitalet po shterojnë nga punonjësit e kujdesit shëndetësor.