Ka nisur marshimi drejt Kryeministrisë. Qindra simpatizantë të opozitës janë mbledhur sot në Tiranë, për të protestuar.
Me sloganin “Shqipërisë i dalim Zot”, opozita, ashtu siç kishte paralajmëruar ka nisur aksionin e saj në orën 12:00.
Protesta ven në një kohë, kur politika në vend është përfshirë nga debate të forta, në lidhje me përfshirjen e kryeministrit Edi Rama në dosjen e ish-agjentit të FBI-së, McGonigal.
Siç duket edhe në foto protestuesit kanë në duar dy manekine, njëra e Edi Ramës dhe tjetra e McGonigal, të dy të veshur me uniforma burgu.
Gjithashtu, Gjykata pritet të japë sot edhe vendimin për vulën e Partisë Demokratike. Megjithatë, kreu i PD Sali Berisha, ka thënë vazhdimisht se protesta nuk është e lidhur me këtë çështje, por është kundër qeverisë dhe problemeve që kanë përfshirë vendin.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se nga ora 10:00 do të bllokohen disa rrugë deri në përfundim të tubimit.
Rrugët ku do të bllokohet qarkullimi: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.