Ministrat e Europës të BE në videokonferencën e së martës nuk dhanë dritën e gjelbër për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bullgaria dhe Holanda frenuan secila me argumente më vete.

Për presidencën gjermane të BE nuk është një javë e mirë. Të hënën bllokoi Polonia dhe Hungaria buxhetin e BE. Të martën Bullgaria vendosi veto kundër një projekti të vendosur me kohë ne BE. Qeveria bullgare ishte kundër konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, për të vazhduar negociatat me qeverinë e këtij vendi. Presidenca gjermane që e mbështet hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare u përpoq më kot të ndërmjetësojë. Ministri i Shtetit për Europën, Michael Roth apeloi te vendet anëtare që “procesin e anëtarësimit të mos e bëjnë peng të problemeve bilaterale mes vendeve të veçanta anëtare.” Bullgaria kërkon nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj. Madje u dëgjua edhe kërkesa për njohjen e gjuhës së vendit jo si maqedonishte, por si dialekt i bullgarishtes.

Bullgarisht? Maqedonisht?

Maqedonia e Veriut këmbëngul me tone relativisht të forta antibullgare për mëvetësinë e saj kombëtare. Një grindje që zien prej vitesh, por që shumë vende anëtare të BE e mendonin si të shuar. Vetëm pas një grindjeje dhjetëra vjeçare ky vend arriti të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë duke ndryshuar emrin në Maqedoni e Veriut. Tani erdhi vetoja bullgare. Kjo duhet të shkaktojë shumë zhgënjim në Maqedoninë e Veriut dhe nuk kontribuon në çtensionimin e marrëdhënies mes dy vendeve, që madje në vitin 2017 nënshkruan edhe një marrëveshje miqësie.

Të hënën tre institute nga Maqedonia e Veriut publikuan një prononcim. “Vendi ynë ka ndryshuar madje emrin i frymëzuar nga premtimet e BE. Për këtë arsye kjo bllokadë e re nuk është vetëm një mashtrim ndaj qytetarëve maqedonas, por edhe tradhti ndaj vlerave europiane”, thuhet në publikimin e Institutit për Demokracinë, të Institutit për Politikën Europiane dhe atij Eurothink në Shkup.

Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva tha se nuk është kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, po negociatat nuk mund të fillojnë tani. “Askush nuk ua mohon atyre të drejtën të përcaktojnë vetë kombin e tyre dhe gjuhën e tyre, si të duan, por ne nuk mund të miratojmë, që kjo e drejtë të bazohet në urrejtje, keqinterpretim historik dhe mohimin e Bullgarisë.”

Presidenca gjermane dështon

Që në mars krerët e shteteve dhe qeverive të BE dhanë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Këtë e kujtoi të martën ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth. “Kjo është në interesin e thellë të BE që të fillojmë sa më shpejt. Pragmatik dhe me solidaritet.” Ai u shpreh për një “sinjal të qartë të besueshmërisë” dhe theksoi, se stabiliteti dhe demokracia përmes një anëtarësimi në BE kanë rëndësi strategjike për Ballkanin.

Por megjithë deklaratat e Michael Roth, për momentin nuk duket se çelja e negociatave do të bëhet kaq shpejt. Holanda po ashtu ka ende rezerva për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Ky vend kërkon që Shqipëria të sigurojë më parë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të zbatojë ligjin për median, para se të flitet për çeljen e negociatave. Me Maqedoninë e Veriut holandezët nuk kanë problem. Kryeministri Edi Rama në një bisedë me gazetarët para dy javësh, e mohoi se ka ende kushte të hapura. Sipas tij, qëndrimi refuzues i Holandës lidhet me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021./DW