Emmanual Macron po kërkon pagesa vjetore nga Britania e Madhe për të trajtuar krizën e emigrantëve.
Mediat britanike shkruajnë se presidenti francez do të kërkojë pagesa nga Mbretëria e Bashkuar për të financuar kontrollin e plazheve dhe zonave ku dhe mblidhen emigrantët me gomone e bëhen gati për të udhëtuar drejt Britanisë së Madhe.
Express.co shkruan se Mbretëria e Bashkuar i ka paguar Francës të paktën 232 milionë daund që nga viti 2014, e fundit prej të cilave ishte në nëntor kur Braverman ra dakord për një marrëveshje prej 62 milionë paundësh me homologun e saj francez për të rritur patrullimet me 40 për qind.
“Ne po përpiqemi të biem dakord me homologët tanë britanikë për një kuadër financimi shumëvjeçar që do të na lejonte të planifikojmë më mirë veprimet tona dhe të rrisim njerëzit tanë. Duhen burime, pajisje dhe infrastructure,”- i tha The Times një burim nga Elysee përpara samitit anglo-francez që do të zhvillohet këtë fundjavë.
“Ne tashmë kemi shumë efektivë në terren. Të qenit efektiv në përgjigje kundrejt emigrantëve kërkon shumë më tepër sesa policë në plazhe,”- tha një zyrtar tjetër francez.
Prej ditësh bëhet thirrje nga Qeveria e Britanisë së Madhe e cila ka paralajmëruar grupet e trafikantëve që kalojnë emigrantë të paligjshëm përmes kanalit të La Manshit. Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak dhe Suella Braverman kanë paralajmëruar se do të fusin në fuqi projektligjin e ri që synon të lërë jashtë shqyrtimit të gjitha format e kërkesave për azil që janë bërë nga ata emigrantë që futen në vend përmes gomoneve.
Rishi Sunak dhe Braverman do të udhëtojnë për në Paris të premten për të folur rreth krizës së emigrantëve. Gjatë muajve të fundit, ai ka qenë në bisedime intensive me Sektorin e Brendshëm dhe një rreth të vogël, të besuar të brendshëm të ministrave dhe këshilltarëve për të përpiluar një plan. Në vitin 2022, më shumë se 45,000 njerëz mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla krahasuar me 28,000 një vit më parë. Mes tyre janë raportuar se kanë qenë 10 mijë shqiptarë.
Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi.
Gjuha e Braverman është krahasuar me atë të nazistëve. Një e mbijetuar e Holokaustit rrëfeu për Sky News se gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme Suella Braverman për të përshkruar emigrantët është shumë e ngjashme me atë që u përdor në Gjermaninë naziste kundër popullit hebre. Joan Salter, 83 vjeçe, tha se kur dëgjonte termat ‘tufë’ dhe ‘pushtim’, i kujtohej gjuha e përdorur për të justifikuar vrasjen e familjes së saj dhe miliona të tjerëve.





