Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka pezulluar, deri në hyrjen në fuqi të strukturës së re të Policisë së Shtetit, të gjithë drejtuesit vendorë të Krimit Ekonomiko-Financiar, në Drejtoritë Vendore të Policisë.
Kjo për shkak të mungesës së efikasitetit të këtyre strukturave dhe mospërmbushjen e pritshmërive, në luftën kundër evazionit fiskal, paligjshmërive në fushën ekonomike, apo goditjen e korrupsionit.
Vendimi u bë me dije gjatë një takimi të zhvilluar sot nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi me drejtuesit e Policisë së Shtetit, në nivel qendror dhe vendor.
Gjatë takimit, ministri mësohet se dha porosi të prera për çdo drejtues vendor të Policisë, për një luftë pa kompromis kundër kultivimit të kanabisit. Sipas tij, strukturave policore do t’u vijë në ndihmë përdorimi i teknologjisë së lartë, si dhe pamjet e përftuara nga satelitët në monitorimin e rreptë të territorit.
Ministri tha se “për çdo parcelë që do të konstatohet nga agjenci të tjera, do të ketë përgjegjësi individuale, për drejtuesit vendorë. Vëmendje e posaçme duhet t’u kushtohet kontrolleve në ambiente të mbyllura”.
Ministri i Brendshëm kërkoi gjithashtu edhe angazhimin maksimal të strukturave inteligjente dhe ato të Rendit të Policisë, për mbarëvajtjen e fushatës elektorale dhe gjithë procesit zgjedhor të 14 majit, “duke parandaluar dhe goditur me forcën e ligjit, çdo tentativë për shit-blerje vote”.
Çuçi “ka kërkuar goditjen e fenomeneve që përbëjnë krime elektorale, si dhe që policia t’i shmanget çdo lloj intimidimi nga subjektet politike apo persona të lidhur me ta”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.