Nga seanca parlamentare që po mbahet ditën e sotme në Kuvend, ministrja për Shtetin dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Diana Bahçjas, e cila u arrestua pak ditë pasi lindi djalin e saj, pasi kishte marrë një gjobë prej 250 mijë Lekësh që iu konvertua në një muaj burg.
Ministrja Spiropali iu ka bërë thirrje organeve më të larta të drejtësisë në vend që të përshpejtojnë veprimet dhe të lirojnë që sot nënën lehonë që të shkojë pranë fëmijës së saj.
Spiropali ka deklaruar se është në komunikim të vazhdueshëm me avokatin e saj, teksa përsërit thirrjen se gjykatësi duhet ta lirojë sot nënën lehonë, Diana Bahçen.
Elisa Spiropali: Nuk prita ditën e Kuvendit për të bërë politikë, reagova që dje. Diana Bahçja duhet të lirohet menjëherë, gjykatësi duhet ta lirojë sot edhe jo nesër. Dhe unë nuk kuptoj se cila gjykatë arreston, kërkon ndërrimin e gjobës me burgim për një nënë lehonë. Duhet që institucionet si ILD, po tani edhe KLGJ të përshpejtojnë procedurat të bëjë të mundur që ajo grua të dalë nga burgu dhe të shkojë pranë fëmijës së saj. Unë kam folur me avokatin e zonjës, jam në komunikim të vazhdueshëm, gjykatësi duhet ta lirojë. Duhet bërë një analizë jo vetëm për rastin ku gratë dënohen më shumë, ndërkohë që burrat që iu marrin jetën grave dalin nga burgu. Kjo padrejtësi duhet të adresohet me ligje, me kontroll parlamentar dhe me ndërgjegje të atyre gjykatësve dhe prokurorëve.