Nga Durrësi, ku mori pjesë në analizën e punës së Drejtorisë Vendore të Qarkut. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj vuri theksin në dy çështje të rëndësishme.
Sipas Lleshaj, lufta kundër tentativave për kultivim të kanabisit në qarkun e Durrësit është një ndër prioritetet e punës së policisë, edhe për faktin se “specifikisht në Krujë, kemi patur shqetësime kronike prej shumë kohësh. Ka ardhur koha që intensiteti i punës dhe i luftës së Policisë ndaj këtij fenomeni në këtë rajon, të thellohet në mënyrë që të zhbëhet përfundimisht ky fenomen nga Shqipëria dhe nga Qarku i Durrësit”.
Ministri Lleshaj vuri në dukje faktin se gjatë këtij viti sasia e kanabisit të kapur në vendet fqinje Greqi dhe Itali është në minimumet historike.
“Dua të them që viti 2020 shënon vitin e angazhimit më të madh dhe të sukseseve më të mëdha në luftën kundër kanabisit. Kjo matet në dy tregues kryesorë: treguesi i parë kryesor është sasia që kapet në vendet e destinacionit tradicional, Itali, Greqi, sasi e cila ka zbritur në minimumet historike. Po them që vetëm në këtë vit janë kapur në Itali gjithsej 911 kilogram, nga sasira shumë të mëdha që janë kapur historikisht në këtë vend, po kështu edhe në vende të tjera. Megjithatë angazhimi ynë është që ky fenomen të zhbëhet në themel. Ne duam që luftën e operacionin e ri të 2021 ta fillojmë tani. Do fillojë që tani në të gjithë vendin në mënyrë që të lirohen krahët e Policisë për të kryer edhe detyra të tjera, të cilat do të jenë të pashmangshme në kuadër të angazhimit të saj për garantimin e procesit zgjedhor në vitin 2021”,- tha Lleshaj.
Një çështje tjetër e rëndësishme e diskutuar në analizën e punës së Drejtorisë Vendore të Policisë ishte masat që kanë të bëjnë me luftën kundër-covid.
Ministri Lleshaj u bëri apel qytetarëve që të bashkëpunojnë me policinë në këtë betejë me virusin.
“Është me rëndësi jetike që këtë sakrificë të madhe që kemi bërë të gjithë së bashku përgjatë muajve të këtij viti, ta vazhdojmë edhe në këtë periudhë të mbetur e cila po shkurtohet, besojmë të gjithë që po shkurtohet periudha që ka mbetur e luftës, por është me rëndësi që të mos lëshojmë tempin e angazhimit tonë në këtë front shumë të rëndësishëm. Është me rëndësi që çdo qytetar të bëjë pjesën e tij, të kufizojë në maksimum ato lëvizje që nuk janë të domosdoshme; të rinj dhe të reja, të moshuar dhe gjithë të tjerët, duhet të kufizojnë maksimalisht daljet e panevojshme, në mënyrë që të reduktojmë sa më shumë rriskun e përhapjes së mëtejshme të infektimit”,- tha ministri i brendshëm.





