Kryetari i Bashkisë Krujë, Artur Bushi ka reaguar me një deklaratë zyrtare pas qëndrimit të tij për një orë e 45 minuta në godinën e SPAK ku ka sqaruar pse ishte thirrur nga prokurorët e asaj strukture hetimore.

Në deklaratën zyrtare, Bushi shprehet se ka qenë në SPAK për kallëzimin e një qytetari nga Kruja, i cili ka pretendime për sulme personale nga ana e Bushit.

“Kam qenë në zyrat e SPAK për të dhënë dëshminë time në lidhje me kallëzimin e një qytetari nga Kruja, Muharrem Hoqja, i cili ka pretendimet për sulme personale nga ana e Kryetarit të Bashkisë Krujë, në lidhje me zbatimin e ligjit ndaj tij, për tre ndertime pa leje të bëra nga ky shtetas, ndaj të cilave janë marrë të gjitha masat ligjore! Thirrja në SPAK ishte vetëm për këtë pjesë dhe nuk ka asnjë lidhje me procedurat e prokurimeve dhe tenderave publike”, shkruhet ndër të tjera deklaratë.

Reagimi i Bushit:

Duke respektuar strikt procedurën hetimore dhe në respekt të informimit të publikut për aq sa më lejon ligji, dua të bëj me dije se sot kam qenë në zyrat e SPAK për të dhënë dëshminë time ne lidhje me kallëzimin e një qytetari nga Kruja, Muharrem Hoqja, i cili ka pretendimet për sulme personale nga ana Kryetarit të Bashkisë Krujë, në lidhje me zbatimin e ligjit ndaj tij, për tre ndertime pa leje të bëra nga ky shtetas, ndaj të cilave janë marrë të gjitha masat ligjore! Thirrja në SPAK ishte vetëm për këtë pjesë dhe nuk ka asnjë lidhje me procedurat e prokurimeve dhe tenderave publike.

Dhashë shpjegimet e mia në përgjigje të ftesës së Prokurorisë, mbi çështjen në fjalë dhe do të vij sa herë që do të jetë e nevojshme prania ime, sepse unë nuk i shmangem të vërtetës dhe ligjit.

Çdo aludim tjetër dashakeq në media apo portale e quaj pjesë të fushatës politike të 14 Majit, e cila tashmë ka filluar dhe për fat të keq, opozita ka zgjedhur baltën dhe dezinformimin e publikut.

Me mirënjohje,

Artur Bushi