Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka komentuar së fundmi firmosjen e koalicionit të opozitës dhe përgatitjen për zgjedhjet locale të 14 majit.
Kryemadhi u shpreh se marrëveshja e bashkëpunimit për këto zgjedhje është firmosur nga dy burra shteti, konkretisht mes Ilir Metës dhe Sali Berishës.
Kryemadhi: Marrëveshja e hapur dhe është midis dy burrave të shtetit, pavarësisht këndvështrimeve, ndryshe nga marrëveshjet tona, që bëheshin brenda faktit të kryer. Marrëveshja në këtë rast janë të ndërtuara mbi baza parimore. Sot është më natyrale unifikimi i opozitës kundër mazhorancës. Sot është më i thjeshtë bashkimi i opozitës.
Ajo tha për Abc se opozita është e fokusuar tek mbështetja e kandidatëve për kryetar bashkie, por pa lënë mënjanë këshillat bashkiakë, që sipas Kryemadhit duhet të rikthehen në parlamente lokale të mirëfillta për t’iu shërbyer qytetarëve.
Kryemadhi: Tashmë unifikimi opozitës do jetë i strukturuar tek kandidati për kryetar bashkie, por edhe tek evidentimi i këshillave të qytetit. Dhe përfshirja e opozitarizmit, do të krijojë shansin për të përzgjedhje të emrave të këshilltarëve, të cilët, këshillat bashkiakë do t’i kthejnë në parlamente të mirëfillta. Votat tona shkojnë në drejtimin e duhur, për kandidatët e Primareve.
Opozita dorëzoi kërkesën dy ditë më parë (15 mars) për regjistrimin e koalicionit në KQZ.
Partitë në koalicion do të jenë PL, PBDNJ, PDK.
Koalicioni do të njihet me emrin “Bashkë Fitojmë” si dhe sigla e cila do të përdoret në fushatë dhe në fletën e votimit.