Gjykata e Tiranës ka pushuar akuzën për 5 nga 6 të arrestuarit si pjesë e çështjes “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milion euro në portin e Durrësit. Ky vendim i Gjykatës së shkallës së parë nuk është pranuar nga Prokuroria e cila e ka çuar çështjen në Apel.

Kështu, akuza është pushuar për Alfred Vladin, Edi Likën, Agim Cekën, Alban Mollaymerin dhe Klevi Canin. Pjesë e këtij grupi të akuzuarish është dhe Ervis Vladi, i cili është i vetmi i akuzuar. Gjyqtari Artan Gjermeni e ka çuar Vladin në gjyq për akuzën e “Mosdeklarimit të të hollave në kufi”.

Kujtojmë se në muajin qershor të vitit 2018,  janë sekuestruar në dy makina “Toyota Yaris” të mbërritura nga jashtë shtetit në portin e Durrësit, 3 milionë e 470 mijë euro. Pas shkrirjes së Krimeve të Rënda dosja kaloi në rrethe, por nuk u bë pjesë e dosjeve të SPAK, pasi më parë ishte rrëzuar akuza e “grupit të strukturuar kriminal”.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të rrëzoi vendimin e shkallës së parë. Do të jetë gjyqtari i Apelit ai që do të pranojë vendimin e Gjykatës së shkallës së parë për pushimin e akuzës për 5 nga 6 të arrestuarit, apo do të kërkojë rihetim.