Të paktën një person ka humbur jetën dhe rreth 30 të tjerë janë plagosur (disa prej të cilëve rëndë), pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në perëndim të Holandës.

Shërbimet e emergjencës thonë se përplasja ndodhi në orët e para të ditës. Treni, në të cilin po udhëtonin rreth 50 persona goditi një vinç pranë fshatit Voorschoten. Nga përplasja raportohet të jetë dëmtuar edhe një tren mallrash aty pranë. Disa persona morën trajtimin e parë mjekësor në vendngjarje, ndërsa 19 vetë u dërguan në spital.

Disa hetime janë hapur paralelisht për këtë incident, duke përfshirë ProRail – organi qeveritar përgjegjës për rrjetet hekurudhore të vendit.

Stacioni qendror i Leiden, i cili gjendet mes Hagës dhe Amsterdamit, u mbyll për shkak të këtij incidenti.

“Ky ishte një aksident tragjik, na vjen shumë keq që pati humbje jete. Mendimet e mia shkojnë për të lënduarit dhë familjarët e të gjithë të prekurve”, tha kryetarja e bashkisë së Voorschoten, Nadine Stemerdink.

Një incident i tillë konsiderohet jashtëzakonisht i rrallë në Holandë, ku sistemet hekurudhore janë përgjithësisht tejet të sigurta.