Një tjetër vdekje plot mister në radhët e oligarkëve rusë.

Bëhet fjalë për Igor Skurko, një ekzekutiv i lartë i gjigantit të energjisë “Yakutskenergo”.

Trupi i zv.drejtorit të përgjithshëm 49-vjeçar u gjet në qelinë e tij, në një qendër paraburgimi në Siberi.

Mediat e huaja “Daily Mail” dhe “The Sun” shkruajnë se kjo është vdekja e 40-të misterioze e një oligarku rus që nga fillimi i luftës së Putinit në Ukrainë, më 24 shkurt 2022.

Igor Skurko u arrestua me akuzën e ryshfetit. 24 orë para vdekjes së tij, avokati i tij kishte kërkuar lirimin e klientit të tij, duke përmendur prova se akuzat për ryshfet ishin të pabaza.

Autoritetet ruse nuk kanë dhënë detaje për shkakun e vdekjes së Igor Skurkos, megjithatë ata nxituan të theksojnë se indikacionet fillestare nuk tregojnë për “veprimtari kriminale”.

Ndërkohë, gjiganti i energjisë ku ai shërbeu si zëvendësdrejtor i përgjithshëm, lëshoi një deklaratë modeste.

“Do ta kujtojmë si një person të afrueshëm, mikpritës, me zemër të madhe dhe humor të pafund… ”, shkruhej në deklaratë.

Skourko ishte i martuar me dy fëmijë dhe ishte akuzuar për ryshfet prej 5000 paundë.

Ai ishte anëtar i partisë së Vladimir Putinit “Rusia e Bashkuar”, por statusi i tij u pezullua kur u bë e ditur akuza për ryshfet ndaj tij.