Policia Rrugore vijon kontrollet e dedikuara për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.  

Si rezultat i kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, Policia Rrugore e Tiranës ka goditur 3 raste të mitdhënies, me qëllim shmangien e masës administrative.

Shkon në 15 numri i rasteve të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore gjatë këtij viti.

Gjatë kontrolleve parandaluese, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në shkelje automjetet me drejtues shtetasit Xh. D., 62 vjeç, K. C., 28 vjeç dhe E. P., 21 vjeçe. Me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljet e kryera, këta shtetas i kanë ofruar punonjësve të Policisë, shuma të ndryshme parash.   

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për këta 3 shtetas, për veprën penale “Korrupsioni  aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.