Dita botërore e diabetit, 14 nëntori është pranë, ndaj në Durrës kanë nisur aktivitetet sensibilizuese në sheshin kryesor të qytetit.
Gjatë aktivitetit sensibilizues të organizuar nga Shoqata e diabetit në Shqipëri, mjekët kanë kryer matjen e thjeshtë të glicemisë falas për qytetarët që kanë ardhur për t’u kontrolluar nëse kanë ose jo shenjat e diabetit.
Aktivitete të tilla shërbejnë për të rritur ndjeshmërinë e njerëzve që kjo sëmundje të mbahet nën kontroll dhe të parandalohet.
Diabeti është një sëmundje kronike me kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike. Diabeti ka kosto të lartë sociale, sepse diabeti nuk prek vetëm një njeri, nëse ka një person në familje me diabet e gjithë familja, komuniteti, preket dhe ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje.
Diabeti ka kosto të lartë shëndetësore, pasi është një sëmundje që po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë dhe në mënyrë të rregullt, ai shkakton ndërlikime serioze si, sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave, amputime të këmbëve etj.
Te personat me diabet, rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë se te personat pa diabet, ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se tek personat pa diabet.
Por diabeti ka edhe kosto ekonomike sepse diabetiku ka nevojë për medikamente, trajtime dhe ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme. Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me të paktën 25%.





