Agresioni në shkallë të gjerë i Rusisë ndaj Ukrainë në shkurt 2022 ka krijuar një urgjencë të re në Bruksel për anëtarësimin e shpejtë të shteteve ballkanike. Në muajin Maj shtetet kandidate për anëtarësim në BE do të njihen me raportin paraprak të vlerësimit vjetor nga komisioneri i fqinjësisë së BE-së, Oliver Varhelyi.
Shërbimi botëror i Radios Evropa e Lirë publikon pjesë të këtij raporti, ku me Shqipërinë parashikohet që në fund të këtij viti të nisë shqyrtimi i kapitujve të parë të negociatave të anëtarësimit.
Pavarësisht presionit nga Parlamenti Evropian, Komisioneri i fqinjësisë së BE-së, Oliver Varhelyi nuk pritet të japë afate konkrete për anëtarësimin e plotë të këtyre shteteve ndonëse viti 2030 është propozuar nga disa shtete të Evropës Qendrore e Lindore.
Sipas këtyre burimeve mediatike BE-ja mund të ringjallë politikën e saj të zgjerimit për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Për Ukrainën dhe Moldavinë, pritet t’u propozohet shteteve anëtare marrja e dritës jeshile për fillimin e bisedimeve të pranimit. Për Gjeorgjinë do të propozohet dhënia e statusit kandidat për anëtarësimin në BE. Bosnje Hercegovina e arriti statusin e kandidatit pavarësisht se nuk i përmbushi të gjitha kërkesat e Brukselit.
Për çfarëdo rekomandimi të paraqitur nga komisioni, vendimet përfundimtare, nga shtetet anëtare do të merren në muajin dhjetor. Kjo nuk është aspak e garantuar, pasi nevojitet unanimiteti dhe kjo ka qenë e vështirë për t’u siguruar edhe më parë, shkruan Evropa e Lirë, duke përmendur faktin se për disa vite radhazi, Komisioni Evropian rekomandoi që Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet e pranimit, por ishte fillimisht Greqia dhe më pas Bullgaria që e bllokuan procesin.