Gjatë një vizite në Xhaminë Kubelie në qytetin e Kavajës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dha një urim për të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit.
Urimi i Presidentit Begaj:
“Nga Kavaja uroj të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët ku jetojnë e punojnë gëzuar Festën e Fitër Bajramit! Uroj nga zemra që agjërimi i muajit të Ramazanit ka përmbushur qëllimin e shprehjes së devocionit të besimtarëve përmes sakrificës! Sakrifica në emër të besimit shpresoj të jetë shtysë për ne, për të bërë vepra të mira, për familjen, për shoqërinë dhe për kombin.
Në fakt, kjo festë e Fiter Bajramit ka karakteristikë të veçantë solidaritetin dhe dashurinë. Dashurinë për njëri-tjetrin, dashurinë për Zotin.
Sot në Kavajë gjeta veten, takova miq të rinj dhe të vjetër, të besimeve të ndryshme dhe ku më mirë se Kavaja tregohet kjo harmoni fetare.
Bashkëjetesa dhe harmonia fetare për të gjithë kombin tonë është një vlerë e jashtëzakonshme, vlerë e cila duhet ruajtur, duhet promovuar dhe pse jo duhet eksportuar. Të eksportojmë atë vlerë që është më e mira.
Populli shqiptar e ka treguar me vepra që e përkrah të ndryshmen. Kemi pritur refugjatë afganë, kemi pritur refugjatë ukrainas, kemi hapur dyert tona në ditë të vështira, pse jo edhe në këtë ditë të bëjmë një thirrje që të ndihmojmë ata që janë më të pamundurit, ata që kanë nevojë për më shumë.
Gëzuar Festën e Fiter Bajramit! Uroj për të gjithë shqiptarët, mirësi në jetën e tyre!“