Enkelejd Alibeaj ka prezantuar kandidaten e Partisë Demokratike për Bashkinë e Patosit.
Në takimin elektoral, Alibeaj tha se është koha për të krijuar një alternativë të re jashtë asaj që ai quan si “treshja e vjetër e dinosaurëve të politikës”, duke iu referuar Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës.
“Sot jemi pikërisht në këtë test, për të krijuar një alternativë jashtë treshes së vjetër të dinosaurëve të politikës. Ka që në vitin 1998 Edi Rama në pushtet pa zbritur nga karrigia. Vetëm 1 vit ra nga Bashkia Tiranë, për 1 vit e pak erdhi Kryeministër. Nga ’98-2023.
Ka nga ’90 në mos më tepër Sali Berisha që është në politikë aktive. Dy herë President, dy herë Kryeministër, po kaq ka Ilir Meta. Popull që s’paska fare kreativitet për të nxjerrë figura të reja politike ose për të krijuar një proces të qarkullimit të elitave? Jo, e ka nevojën, e ka dëshirën, e ka potencialin, thjesht dhe vetëm i është zënë fryma nga këta tre njerëz të cilët vazhdojnë dhe mbijetojnë e deri më sot mbijetojnë për shkak se janë në një marrëveshje me njëri-tjetrin.
Këtë regjim e mban në këmbë ajo që quhet oligarki ekonomike, ata të cilët përfitojnë pasuritë e këtij vendi duke i marrë si dhuratë nga qeveria. Dje i merrnin nga qeveria e Sali Berishës, sot i marrin nga Edi Rama. Paradite nga njëri, pasdite nga tjetri. Njëri jep tendera, tjetri i thërret në gostitë familjare”, u shpreh Enkelejd Alibeaj.