Thellohet bilanci i jetëve të humbura nga Covid-19, në urgjencën e spitalit të Durrësit.

Pas ish-mundësit Shkëlqim Troplini që ndërroi jetë ditën e hënë, një tjetër pacient rreth 70 vjeç ka humbur jetën i prekur nga Covid-19 ditën e martë. Pacienti ndodhej prej rreth një jave i shtruar në spitalin rajonal, pasi rezultonte i prekur nga koronavirusi.

Ndërkohë, nga burime të brendshme të spitalit, “DurrësLajm” mëson se gjatë ditës së sotme kanë ndërruar jetë edhe dy pacientë të tjerë në Urgjencë, duke e çuar në 3 numrin e fataliteteve brenda pak orësh për shkak të Covid-19.

Lidhur me këtë informacion, “DurrësLajm” kërkoi edhe konfirmim zyrtar nga drejtuesit e institucionit, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk kemi marrë ende një reagim zyrtar. 

Situata e të prekurve dhe vdekjeve prej Covid-19 vijon të përkeqësohet me ritme të shpejta javët e fundit. Një ditë më parë u regjistrua një rekord i ri negativ, si përsa i përket numrit të rasteve të reja ashtu edhe fataliteteve, me 525 të prekur dhe 12 viktima.

Qyteti bregdetar regjistroi një ditë më parë 24 të prekur nga koronavirusi, ndërsa shifra e rasteve aktive të raportuara në rang qarku nga Ministria e Shëndetësisë është 980.

Ditën e hënë, Komiteti Teknik i Ekspertëve e klasifikoi Durrësin si zonën portokalli përsa i përket hartës e përpiluar në bazë të rasteve të të infektuarve gjatë 2 javëve të fundit.