Shtimi i numrit të të prekurve me Covid-19 në rang vendi detyroi Komitetin Teknik të Ekspertëve të njoftonte ditën e hënë kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mjeteve nga ora 22.00 deri në orën 06.00, duke nisur nga dita e mërkurë, 11 nëntor.
Ndërkohë, ndryshe nga si u veprua kur pandemia Covid-19 u shfaq për herë të parë në vendin tonë, në muajin mars, institucionet e arsimit parauniversitar do të vazhdojnë të jenë të hapura.
Durrësi u klasifikua nga Komiteti Teknik i Ekspertëve zonë Portokalli, bazuar në rastet e të të infektuarve gjatë 2 javëve të fundit.
Duke qenë se institucionet arsimore janë tanimë vendet me përqendrimin më të madh të personave, DurrësLajm kontaktoi me drejtoreshën e ZVA Durrës Jonida Matohiti, për të mësuar më shumë lidhur me situatën në kopshtet dhe shkollat e qytetit.
Për drejtoreshën Matohiti, gjendja është e qëndrueshme, pasi përqindjet e nxënësve dhe mësuesve të prekur nga koronavirusi janë të ulta.
“Një përqindje e ulët e nxënësve rezulton të jetë i prekur nga Covid-19 dhe sigurisht institucionet arsimore respektojnë me përpikmëri protokollin në raste të tilla. 21 nxënës janë testuar dhe 11 prej tyre rezultojnë pozitiv. Ka mësues të cilët gjithashtu rezultojnë të prekur dhe prioriteti ynë ka qenë zëvendësimi i tyre në kohë për të mos krijuar asnjë boshllëk, duke shfrytëzuar maksimalisht kohën e mësimit në klasë. 58 mësues janë testuar dhe 23 prej tyre rezultojnë pozitiv”,- bën të ditur Matohiti.
Drejtoresha e ZVA Durrës bën të ditur gjithashtu se të dhënat e mësuesve apo nxënësve pozitivë me Covid-19 përditësohen çdo ditë nga ISHP-ja, gjë që u mundëson që sapo konstatohet një tampon pozitiv në rradhët e stafit pedagogjik, sanitar apo nxënësve merren menjëherë masat që personi në fjalë të mos paraqitet në shkollë derisa të përfundojë periudhën e karantinës.
Ashtu siç është dhënë direktivva nga Ministria e Arsimit, në rastet kur një mësues rezulton i prekur ai karantinohet për 2 javë, ndërsa nxënësve u jep mësim një praktikant, në mënyrë që procesi mësimor të mos ndërpritet për asnjë moment.
“ZVA ka marrë të gjitha masat për të mos krijuar problematika në rast të mungesës së mësuesve. Zëvendësimi i tyre bëhet në mënyrë të menjëhershme. Në institucionet arsimore sot janë angazhuar 150 praktikantë, të cilët gjithashtu përfshihen në procesin mësimor duke bërë të mundur realizimin pa mangësi të orëve mësimore”,- bën të ditur Matohiti.
Rastet e mësuesve apo nxënësve të prekur në shkolla të ndryshme kanë qenë sporadike dhe në asnjë rast deri më tani nuk është proceduar me mbylljen e një shkolle dhe kalimin e procesit mësimor online në bashkinë e Durrësit.
M.B.





