Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka zhvilluar takime me banorët e Freskut. Ky tur kishte dhe befasi, për arsyen se është live dhe mes njerëzve. Belind Këlliçi takoi edhe qytetarë, të cilët pasi e ndoqën në rrjetet sociale, u ndalën për ta takuar.

“Po të ndiqja live, vetëm se ishe në lagje dhe erdha të takojë. Urime edhe mbarë. Po të shihja live në Facebook! Të uroj fitore!” -u shpreh një i ri, që takoi Belind Këlliçin. Kandidati i opozitës u shpreh se të tilla takime janë sondazhet reale të mbështetjes qytetare.

“Të falenderoj shumë! Na pe në Facebook?! E sheh çfarë pune ka bërë Facebook, e ka parë live, isha rrugës thotë, e mora vesh që je në lagje dhe erdha të takojë. As njihemi, asnjë gjë. Sondazhi më i mirë, lëre çfarë sheh në televizor, sondazhi më i mirë është kjo, ndalojnë njerëzit punët e veta dhe vijnë na takojnë. Do fitojmë patjetër”-tha Belind Këlliçi.

Pasi shtrëngoi duart me qytetarë e sipërmarrës në këtë zonë, Belind Këlliçi zhvilloi një takim me banorë të Qesarakës, ku përsëriti angazhimin e tij, që pas 14 majit, transporti publik do të bëhet falas.

“Pas 14 maji autobusi do të jetë falas për të gjithë Tiranën. Në qytet dhe në fshat. Ku do i gjej lekët Belind Këlliçi thonë! Fare lehtë, do i heq nga inceneratorët do t`ua jap juve. Do t`i heq nga tenderat që vjedh bashkia e Tiranës do t`ua jap juve”- u shpreh Këlliçi.

Ai shtoi gjithashtu, se ky shërbim do të modernizohet, ndërsa deklaroi se kjo është një praktikë që ndiqet nga 250 qytete të botës. “Ne do të investojmë në modernizimin e autobusëve, në modernizimin e flotës. Do të bëjmë të mundur që stacionet e autobusëve të kenë një orar të afishuar, do t`i lidhim me GPS me autobusin, që ta dinë njerëzit kur vjen, sa vonon autobusi. Të keni një shërbim dinjitoz, nuk na mungon asgjë. Dhe t`u them diçka, se kam shpikur unë, e kanë 250 qytete të botës këtë praktikë”.