Vaksina e koronavirusit që mund të parandalojë prekjen në mbi 90% ka dhënë efekt.

Sipas mediave të huaja, zhvilluesit e vaksinës – kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane BioNTech, thanë se “kjo është një ditë e madhe për shkencën dhe njerëzimin”.

Vaksina e tyre është testuar në 43,500 njerëz në gjashtë vende dhe nuk ka pasur efekte anësore.

Kompanitë planifikojnë të aplikojnë për miratimin emergjent të vaksinës në fund të muajit. Aktualisht, janë dhjetëra vaksina që kanë arritur fazat finale të testimit, por kjo është e para që tregon rezultate.

Ajo përdor një qasje plotësisht eksperimentale – që përfshin injektimin e një pjese të kodit gjenetik të virusit – për ta trajnuar sistemin imunitar.

Do të duhen dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh, dhe, sipas kompanive farmaceutike, njerëzit do të jenë të mbrojtur një javë pas dozës së dytë.

Vaksina është testuar në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Brazil, Argjentinë, Afrikë të Jugut dhe Turqi.

Pfizer beson se do të jetë në gjendje të sigurojë 50 milionë doza deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliardë deri në fund të vitit 2021.