Kryeministri Edi Rama reagoi për tragjedinë e rëndë që ndodhi sot në një shkollë fillore të Beogradit, ku humbën jetën 8 nxënës dhe roja i shkollës.
Një i mitur, 14-vjeçari Kosta K., rreth orës 8 të mëngjesit të sotëm qëlloi me armë në drejtim të tyre, ku gjithashtu ka plagosur rëndë mësues dhe nxënës të tjerë.
“Është jashtëzakonisht e trishtueshme të dëgjosh për të shtënat e sotme pa dallim në një shkollë të Beogradit. Ngushëllimet e mia më të thella shkojnë për familjet e viktimave, si dhe për popullin dhe autoritetet serbe. I uroj shërim të shpejtë të plagosurve në këtë ngjarje tragjike”, shkroi Rama në një postim në Twitter.
Sipas mediave serbe, ai kishte një kapuç të zi në kokë dhe po ecte i qetë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Dyshohet se ai ka marrë armën e babait herët mëngjesin e sotëm dhe ka shkuar në shkollën “Vladislav Ribnikar”.
Sipas informacioneve, ai fillimisht ka debatuar me rojën e sigurisë së shkollës, ka nisur ta sulmojë dhe më pas e ka qëlluar me gjakftohtësi. Më pas ai ka hyrë në orën e historisë dhe ka nisur të qëllojë mbi nxënësit.
Nuk dihen ende motivet të cilat e kanë shtyrë adoleshentin të kryente këtë masakër brenda ambienteve të shkollës fillore, ku ishte regjistruar.