Drejtuesi politik i PS per qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, pari sot një takim me fermerët në Kavajë. Veliaj tha se një fermer punon vetëm për të ecur përpara dhe jo mbrapa.

“Po mendoja për sloganin tonë, teksa po binte shi, dhe thashë: Shyqyr zotit, gjithë ky bereqet, edhe për ne që merremi me Ujësjellësin, si une, Redi apo Edisoni, që duam të mbushen rezervuarët, por edhe për ata që kanë produkte.

Ndërkohë, për ata që janë rritur në ish Bllok dhe kanë qenë me Partinë e Punës që në vakt, sigurisht që shiu i shkrin, se ata janë prej sheqeri. Ndaj edhe ata nuk bëjnë fushatë në ditë me shi, dhe nja dhjetë ditë nuk kemi për t’i parë se do jetë bereqet. Isha duke menduar për punën që bën një bujk: Keni parë traktor që e lëron tokën mbrapsht? Keni parë ndonjë që e përdor shatin mbrapsht? A keni parë njeri që e vjel frutin mbrapsht? Çdo proces, edhe proceset tona jetike, edhe mënyra si ecim, edhe mënyra si i japim zetorit, edhe mënyra si prashisim, edhe mënyra si vadisim, është vetëm duke ecur përpara”, tha Veliaj.