Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho ka paralajmëruar përmes një postimi në Facebook se sistemi shëndetësor në vend po futet në kolaps.
Dasho shkruan se rritja e frikshme e shifrave të të infektuarve me Covid-19 ka shkaktuar mbushjen e shtretërve spitalorë.
Sipas tij, deklaratat zyrtare se gjithçka është nën kontroll, krijojnë një siguri të rreme e cila i hedh edhe më tepër benzinë zjarrit të epidemisë pasi “në se gjithçka është në kontroll, pse duhet të kujdesen qytetarët??!!”
POSTIMI I PLOTË
Jeta në Shqipëri vazhdon sikur asgjë të mos jetë duke ndodhur. Deklaratat zyrtare se “gjithçka është nën kontroll” krijojnë një siguri të rreme e cila i hedh edhe më tepër benzinë zjarrit të epidemisë pasi “në se gjithçka është në kontroll, pse duhet të kujdesen qytetarët??!!”
Ministrja e shëndetësisë publikon statuse me gjyshë që fitojnë shikimin në sajë të një lenteje që blihet ca dhjetëra euro dhe harron gjyshët e tjerë për të cilët familjarët po shpenzojnë mijëra euro për ilaçe dhe oksigjen.
Ndërkohë muaji nëntor ka hyrë i frikshëm! Me një numër mesatar rastesh mbi 400 në ditë (416 për saktësi) nëntori ka shkaktuar mbushjen e shpejtë të shtretërve spitalorë. Mesatarja ditore e vdekjeve të raportuara ka arritur 6.3 ose 60% më tepër se mesatarja e tetorit.
Në se tendenca vazhdon e papenguar, për pak ditë rrezikohet kolapsi i plotë i sistemit!
A po mendon dikush të veprojë?!
A kemi shtet?!





