Belind Këlliçi rikthesoi gjatë takimit me banorët e Kasharit, kryefjalën e fushatës së tij, transportin falas.

Ai premtoi jo vetëm shtrirjen e këtij shërbimi pa pagesë në periferi të Tiranës, por edhe transformimin e flotës dhe stacioneve të autobusëve.

“Pas 14 majit, autobusin falas do e bëjmë realitet, në qytet dhe në fshat, përfshirë këtu edhe Kasharin, Yrshekun, Mëzezin. Do të  subvencionojmë 200 mijë qytetarë në ditë, por mbi të gjitha do të modernizojmë stacionet, do të lidhim me GPS autobusët në mënyrë që njerëzit të shohin në stacione tabela elektronike, sa vonon autobusi”, tha Këlliçi.

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta ironizoi fushatën e rivalit të tij dhe artistët të cilët kanë dalë në mbështetje të Veliajt.

“Ç’është ky tmerr. Kape pak Tiranën, kryeqytetin europian të pastërtisë, këtu ku rrinë fëmijët e vegjël. Këto janë pamjet e Tiranës që mbështesin këngëtarët që nuk jetojnë fare në Tiranë”, u shpreh Këlliçi.

Belind Këlliçi kërkoi votat e fermerëve të Tiranës, duke i siguruar që pas 14 majit, do të shtoheshin mundësitë e zhvillimit për ta.

“Do të kemi 3 milionë euro për huamarrjen, do të kemi 10 mijë euro mbështetje për çdo fermer që do të nis një biznes të ri, si dhe do të ngrejmë 15 tregje me produkte bio”, premtoi kandidati.