Dështon seanca paraprake për 8 personat e akuzuar për organizimin dhe porositjen e rrëmbimit të Jan Pengës. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë kërkesa e avokatëve për rikthim të dosjes në prokurori pasi hetimet nuk janë të plota.

Ata kanë pretenduar se SPAK nuk ka sqaruar komunikimin që është bërë mes Ndrek Prengës, vëllait të viktimës me Dritan Rexhepin dhe Gentjan Funiqi. Ata kërkojnë të dijnë cila është mënyra e komunikimit dhe se si vërtetohet se bëhet fjalë për dy të pandehurit.

Një tjetër argument i përdorur nga mbrojtësit ka të bëjë me faktin se nuk janë pyetur të gjithë familjarët e viktimës. Ndërsa një prej avokatëve kërkoi kohë të njihet me dosjen. Pas pretendimeve të palëve, gjykata vendosi shtyrjen me argumentin se prokura e mbrojtjes për Altin Hajrin është e paplotë.

Ngjarja ndodhi mesditën e 7 Janarit të 2020, në Kamëz. 8 të pandehur janë në arrati dhe kërkohen nga drejtësia shqiptare. Çështja e Altin Hajrit, pronarit të Kompleksit në Shijaku ku u mbajt për 8 orë trupi i pajetë i 49-vjeçarit është e ndarë nga të pandehurit e tjerë. Kjo për shkak se letërporosia nga Hollanda mbërriti me vonesë.

Të pandehurit e tjerë janë Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini.

Për të njëjtën çështje është dënuar me burg të përjetshëm kopshtari i kompleksit Festim Bexhdili. Sipas gjykatës, ai ka dijeni se ku është varrosur trupi i Jan Prengës, por nuk ka pranuar që të flasë.

Sipas hetimeve, Jan Penga u rrëmbye me urdhër të dy personave jashtë vendit për një konflikt droge – Dritan Rexhepi, dhe Gentjan Funiqi (Doçaj).