Belind Këlliçi u takua me banorët e Njësisë 8, ku bisedoi me ta rreth 5 prioriteteve që do të sjellin ulje të kostos së jetetsës dhe lehtësime për qytetarët.
Nga kjo zonë, Belind Këlliçi prezantoi për herë të parë një tjetër pikë të programit të tij, atë për rikualifikimin urban të pallateve të vjetra ekzistuese. Kandidati i Opozitës tha se do të ketë ndërhyrje në suvatime, sisteme termoizoluese dhe ndërtimin e ashensorëve të jashtëm, për të ndihmuar banorët, që në shumicë janë të moshuarit që kanë ngelur, pasi pjestarët e tjerë të familjeve janë larguar.
“Kemi menduar të bëjmë disa ndërhyrje, tre ndërhyrje nëpër pallate, duke nisur nga zona juaj. Pikësëpari duke ndërhyrë në gjithë suvatimin e pallateve duke patur një uniformitet, duke ndërhyrë në opsionin për të patur një termoizolim të pallateve për të krursyer energji. Po mbi të gjitha për të patur mundësinë për bashkëfinancimin bashkë me banorët. A mendoni se është më mirë që bashkia e Tiranës, pas 14 majit, të vijojë të japë me qindra mijëra euro dhe me miliona euro çdo vit për koncerte, për paga, për qoka, për qefe, për lluks, për dieta, për karburant, apo të fillojë, pak nga pak, hap pas hapi, pallat pas pallati financimin për ndërtimin e ashensorëve të jashëm në pallatet e vjetra në mënyrë që t`i lehtësojë jetën gjithë komunitetit”-tha Belind Këlliçi.
Sipas tij, ky program ka si synim që të ofrojë lehtësira jetese për komunitetin duke prekur kryesisht të moshuarit.
“Dhe t’ia bëjmë të jetueshme Tiranën. Dhe pikërisht në këtë njësi duam të implementojmë këtë lloj projekti, në mënyrë që edhe atyre të moshuarve, të cilët kanë dy muaj apo një muaj që nuk dalin nga shtëpia, për shkak se e kanë të pamundur, për shkak se jetojnë në kat të pestë, e kanë shumë vështirë të hipin dhe zbresin shkallët çdo ditë, ne t’ua lehtësojmë jetën. T`u japim një jetë komunitare në mënyrë që ata të dalin, të kenë akses, të shijojnë jetën e tyre dhe të mos jenë të mbyllur brenda katër mureve dhe të mos kenë kujdes nga të afërm, nga miq apo dhe nga komshinj”, u shpreh Këlliçi.
Më tej, ai u shpreh se autobusi falas do të jetë një nga angazhimet e para që do të bëhet realitet pas 14 Majit.
“Kam premtuar autobusin pa pagesë pas 14 Majit. E kam premtuar dhe do ta bëj realitet. Pse? Më kushton pothuaj sa para çon sot Erion Veliaj tek inceneratori që nuk ekziston. Ore kur ky inceneratori që paguajmë ne 14 milionë Euro çdo vit, kur e bëka punën pse nuk na lejonin të bëjmë transparencë dhe të vijnë këta pronarët, të krenohen me punën që kanë bërë. Pse janë në kërkim ndërkombëtar këta? Fare e thjeshtë është pyetja. Pse janë në kërkim ndërkombëtar? Eshtë fare e thjeshtë kur ka 430 milionë Euro për inceneratorë fantazëm, nga dheu do t’i nxjerri 16.5 milionë euro për t’i shërbyer 200 mijë qytetarëve në ditë”, tha Këlliçi.
Kandidati i opozitës u shpreh para banorëve se projekti i tij për nënkalimin te “Sheshi Skënderbej”, do të jetë gjithashtu një tjetër angazhim që do të ketë disa përfitime për komunitetin, duke përfshirë uljen e trafikut dhe të ndotjes në Tiranë.
“A e dini çfarë ndodh, pse u është prishur terezia këtyre? Sepse me nënkalimin te “Sheshi Skënderbej”, shfryhet 60% e trafikut në qendër të Tiranës, që është një gangrenë. Ka një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e ajrit, që ka dalë një studim para dy ditësh, që e keni parë se çfarë përbërës kancerogjen, kemi sot ne në Tiranë në ajrin që thithim e sa të ekspozuar jemi ndaj sëmundjeve kancerogjene. Eshtë një problem shumë madhor që nuk flet ndonjëherë bashkia e Tiranës. I ka prishur dhe matësit e ajrit, që i propozoi ky. Dhe është një masë që kursen, mesatarisht 5000 km trafik në ditë në Tiranë, vetëm ky nënkalimin, dhe 90 mijë litra karburant në vit”-tha Këlliçi.
Nga Njësia Nr.8, Belind Këlliçi nuk la pa ironizuar edhe pjesëtarë të estradës, që kanë zgjedhur të bëjnë fushatë publike për Erion Veliajn. Këlliçi tha se vipat e tij janë qytetarët, me të cilët do të fitojë bashkinë në 14 Maj.
“Vipat e mi jeni ju, janë qytetarët e Tiranës, janë të rinjtë. Janë banorët, janë zonjat, janë zotërinjtë, janë gratë dhe burrat e këtij qyteti që punojnë çdo ditë ndershmërisht për të jetuar në këtë qytet dhe investimet e tyre më të mëdha është edukimi i fëmijëve të tyre. Këta janë vipat e mi, me këta e kam llogarinë unë. Dhe me këta unë do e fitoj 14 Majin në mënyrë të padiskutueshme. Në këtë njësi, e dini kush janë vipat e mi? Banorët e “5 Majit. Ata do i tregojnë vendin në datë 14-et, të parët. Ata që janë nxjerrë nga shtëpia me gaz lotsjellës në 4 të mëngjesit, u është shembur shtëpia me rrobat brenda, me plaçkat e trupit brenda”.
Belind Këlliçi kërkoi votën e të gjithë qytetarëve që janë trembur nga projekti i qeverisë dhe bashkisë për shembjen e pallateve mbi 50 vjeçare, duke u shprehur se pas 14 Majit, kjo nismë do të ndalet ndërsa prona e qytetarëve nuk do të preket.
“Po dhe ata që janë banorë autoktonë, dhe ata që i kanë dokumentat e rregullta, siç ndodhi te “Myslym Keta”, dhe ata që janë vendalinj shumë shumë të vjetër, vetëm për faktin që jetojnë në pallate mbi 50 vjeçare sot ndihen të kërcënuar, nga bashkia sepse mund t’i vejë syrin nesër për të rrëzuar pallatin, për ti prishur shtëpinë, për të bërë aty një kullë betoni dhe për ti degdisur ata në një zonë tjetër në periferi të Tiranës. Kështu që vota në 14 maji është dhe për të mbrojtur shtëpitë tonë, shtëpitë tuaja, pronat tuaja, sepse ju jap fjalën që pas 14 majit as edhe një apartament, as edhe një pronë mbi apo nën 50 vjeçare nuk do ti preket qytetarëve. Prona është e shenjtë”-tha Këlliçi.
Thirrja ndaj qytetarëve të Tiranës për të mos u intimiduar për votën, nuk mungoi as në këtë takim, ku ndër të tjera, Belind Këlliçi iu drejtua qytetarëve edhe me mesazhin që në 14 Maj të marrin pjesë masivisht në votime.
“Ju lutem në këtë javë që ka mbetur, t’i bëni thirrje njerëzve të dalin të votojnë. Ky ka instaluar me forcë një mentalitet, se është aq i fortë, sa do vjedhë votat, s`ka çi bëjmë ne dhe ky do e marrin mandatin e tretë se s’bën. Harrojeni dhe do ta ndëshkojmë me votë në 14 Maj. Kur të shkoni te vota e fshehtë, jeni vetëm ju dhe Zoti. Nuk ju sheh asnjë njeri. Harrojeni se ju kontrollojnë votën këta. Votoni me ndërgjegjen tuaj, votoni për katër vitet e ardhshme”-tha Këlliçi.
I pranishëm në takim ishte dhe Jamarbër Malltezi, Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, i cili kërkoi mbështetjen e qytetarëve për programin e Belind Këlliçit.
“Këto janë pallate të cilat janë tradicionale Tiranase. Kanë distanca urbane goxha të mira. Mund të organizohen oaze të gjelbërta, që e ka Belind Këlliçi në programin e tij 500 oaze të gjelbërta për Tiranën. Vetëm në këtë zonë të mund të bëhen të paktën 5 të tilla. Projekti i kandidatit Belind Këlliçi është rehabilitimi i kësaj zone, kthimi i një zone të pëlqyer për qytetarët e Tiranës siç ka qenë për 70 vite. Nuk duhet që qytetarët e Tiranës të ikin. I kemi të gjitha këtu, Belind Këlliçi mund ta bëjë qytetin më të banueshëm, mund të rrisë vlerën e pronës, mund të përmirësojë situatën me ashensor, me termoizolime e me radhë”-u shpreh Malltezi.