Arrestimi në Himarë i Fredi Belerit, kandidatit për kryebashkiak i koalicionit “Bashkë Fitojmë” i cili dyshohet se akuzohet për shit-blerje votash ka shkaktuar dhe reagimin e kreut të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.

I pranishëm në ambientet e jashtme të komisariatit të Himarës, Dule e quajti arrestimin e Bejlerit sulm të pastër politik dhe bëri thirrje që të tilla tentativa për pengimin e procesit elektoral të ndalen.

Sipas Dules, shoqërimi i Bejlerit është orkestruar enkas nga kryeministri Edi Rama.

“Pas një jave delirimi, gjuhë urrejtje, përçarjeje, stigmatizimi të Kryeministrit Rama kundër kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’ në Himarë,  me urdhër të tij forca policore rrëmbyen në qendër të qytetit rrëmbyen z. Beleri dhe avokatin e tij.

Ata sapo kishin dalë nga një darkë. Ky është një akt i paprecedentë dhe i pashpjegueshëm nga çdo optikë demokratike, një fenomen që ka lidhje me regjimet totalitare.

Të lirohet menjëherë z. Beleri, të garantohet vota dhe Rama të heqë dorë një herë e mirë nga përpjekja për të tjetërsuar vullnetin e sovranit”, u shpreh ndër të tjera kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.