Kandidati i koalicionit opozitar ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm në restorantin e tij nga agjentët e SPAK të mbërritur nga Tirana.
Ai akuzohet për blerje votash dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Ditët e fundit Beleri dha një intervistë në mediat greke ku foli për helenizimin e Himarës në rast se ai do të fitojë, çka solli reagime të ashpra edhe në Tiranë.
Pak orë para shoqërimit në polici, Edi Rama ka sulmuar përsëri kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri.
Rama e cilësoi Belerin një maskara që ka angazhuar njerëz për të kërcënuar emigrantët shqiptarë në Greqi që të votojnë për të më 14 maj. Ai tha se Napolon Çakalli dhe Spiro Koka janë personat që kërcënojnë emigrantët se do iu grisin letrat greke.
“Ky maskara ka angazhuar njerëz për të kërcënuar emigrantët. Unë dua ta shfrytëzoj këtë emision për t’iu drejtuar dy personave me emër. Një Napolon Çakalli, i cili e di shumë mirë se kush është dhe një Spiro Koka, një tjetër personazh. Iu them që mos guxoni të merrni në telefon emigrantët që duan të votojnë ose që mund të vinë të votojnë, as për t’iu thënë që do vini të votoni patjetër për këtë injorantin këtu apo duke i thënë që po votuat për Goron e PS do ju grisim letrat greke dhe unë po ju them në sy do të merrem personalisht me ju të dy dhe jeni ju që rrezikoni që t’i humbisni letrat greke. Avokati më i madh i emigrantëve në Greqi dhe i minoritetit grek në Shqipëri jam unë dhe qeveria ime, është ky shtet”, -tha Rama gjatë intervistës në Opinion.