Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias thotë se për arrestimin e Fredi Belerit ka njoftuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrell, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme suedeze që ka Presidencën e BE.

Dendias shprehet se do të ishte një skandal absolut nëse arrestimi i Belerit është bërë pa patuar prova.

Ai thotë se qeveria greke do të monitorojë nga afër zhvillimet mbi arrestimin e Fredi Belerit, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës.

“Do të doja të mbaja një qëndrim për një çështje jashtëzakonisht serioze. Arrestimi i anëtarit të minoritetit grek Fred Beleri, kandidat për kryetar të Bashkisë së Himarës në Shqipëri, dua të them që nëse nuk ka prova të forta, arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie 2 ditë para zgjedhjeve është një skandal. Për këtë gjë kam njoftuar përfaqësuesin e lartë të BE, Borrell, dhe Ministrinë e Jashtme të Suedisë që ka Presidencën e BE. Qeveria Greke do ta ndjekë nga afër rastin. E përsëris, arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie 2 ditë para zgjedjheve përbën skandal nëse nuk ka prova të forta”, thuhet në reagimin e ministrit grek Dendias.

Fredi Beleri u arrestua për akuzën e shit-blerjes së votës për zgjedhjet e së dielës. Ditët e fundit ai ka qenë në qendër të akuzave të kryeministrit Edi Rama për deklaratën e bërë në mediat greke për helenizimin e Himarës.