Dita e sotme është heshtje zgjedhore për të gjitha palët politike pas 1 muaji fushatë që u mbyll të premten. Të dielën e 14 majit shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 61 kryebashkiakët e rinj.

Në garë janë gjithsej 140 kandidatë. Gara më e ashpër pritet që të jetë në qarqet dhe qytetet më të mëdha të vendit.

Për Tiranën në garë janë 6 emra. Sfidë e fortë pritet të jetë edhe në Durrës, Shkodër e Elbasan. Në këtë të fundit do të votohet dhe numërohet elektronikisht bashkë me Kamzën dhe Vorën. Për këtë arsye emrat e kryebashkiakëve fitues pritet që të dalin shumë shpejt.

Kujtojmë që Partia Demokratike zyrtare në këto zgjedhje do të kandidojë vetëm në 14 bashki. Përballjet më të forta pritet që të jenë mes Partisë Socialiste dhe koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” ku bëjnë pjesë grupi i rithemelimit të Sali Berishës dhe Partia e Lirisë së Ilir Metës.