Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, në emër të Partisë Socialistëve iu bën thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votime.
Ajo theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’u kërkojë ndjesë publike qytetarëve të cilët u detyruan të largohen nga qendrat e votimit në mëngjes, për shkak të problemeve teknike
“Qysh në minutën e parë KQZ duhet të siguronte funksionimin e pajisjeve në çdo qendër, por edhe më keq akoma ishte hezitimi i pakuptueshëm i KQZ-së për të zgjidhur këtë ngërç të krijuar nga ajo vetë duke vonuar me orë fillimin e votimit në disa qendra votimi. Kjo solli largimin e kuptueshëm të shumë zgjedhësve nga qendrat e votimit. Na vjen tmerrësisht keq për këtë dhe KQZ-ja duhet të kërkojë një ndjesë publike të gjithë atyre që u larguan këtë mëngjes për këtë dështim të saj në garantimin e nisjes së votimit në çdo qendër në orarin zyrtar. Megjithatë PS u lutet të gjithë atyre që nuk mundën të votonin në orët e para të mëngjesit të kthehen gjatë ditës dhe ta kryejnë detyrën qytetare. Prandaj, thirrja jonë është votoni, votoni, votoni!”, tha Muzhaqi nga selia rozë.